Irani depoziton të ardhurat e para nga tarifat në Hormuz në Bankën Qendrore
Zëvendëskryetari i parlamentit të Iranit, Hamidreza Haji Babaei, deklaroi sot se të ardhurat e para të mbledhura nga tarifat e vendosura ndaj anijeve që kalojnë në Ngushticën e Hormuzit janë depozituar në llogarinë e Bankës Qendrore, raportoi BBC.
Sipas agjencisë “Tasnim”, ai nuk dha detaje të mëtejshme mbi mënyrën e mbledhjes së këtyre të ardhurave apo mbi subjektet që i kanë paguar ato, ndërsa BBC thekson se pretendimi nuk mund të verifikohet në mënyrë të pavarur.
Para armëpushimit aktual, Teherani deklaroi se kishte kufizuar kalimin në ngushticë, vetëm për vendet që i konsideron “miqësore”, ndërsa ishte përmendur edhe mundësia e vendosjes së tarifave për anijet që e përdorin këtë rrugë detare strategjike.
Megjithatë, nuk pati sqarime të qarta mbi shumën apo zbatimin konkret të këtyre tarifave.
Në fund të marsit, ambasada iraniane në Indi hodhi poshtë raportimet se Teherani po u kërkonte anijeve deri në 2 milionë dollarë për kalim.
Ndërkohë, një tjetër deputet i lartë iranian, Alireza Salimi deklaroi se “sipas burimeve të besueshme”, Irani ka mbledhur tarifa nga anijet që kalojnë në Ngushticën e Hormuzit.
Ai shtoi se shumat ndryshojnë në varësi të llojit dhe sasisë së ngarkesës, si dhe nivelit të rrezikut, ndërsa rregullat përcaktohen nga vetë Irani.
Nga ana tjetër, presidenti amerikan, Donald Trump ka paralajmëruar më herët se anijet që paguajnë tarifa ndaj Iranit për kalimin në Ngushticën e Hormuzit – mund të përballen me masa ndëshkuese.
Më 12 prill, ai deklaroi se kishte urdhëruar Marinën amerikane të ndalonte dhe kontrollonte çdo anije në ujërat ndërkombëtare, që kishte paguar tarifa ndaj Iranit, duke theksuar se askush që paguante një tarifë të paligjshme nuk do të kishte një kalim të sigurt.
Transporti tregtar në këtë rrugë jetike është ndërprerë ndjeshëm që nga fillimi i konfliktit, ndërsa raportime të ndryshme sugjerojnë se planet e Iranit mund të përfshijnë vendosjen e tarifave deri në rreth 2 milionë dollarë për anije.
Ndërkohë, forcat amerikane kanë vendosur një bllokadë ndaj anijeve që lëvizin drejt dhe nga portet iraniane, megjithëse të dhëna të gjurmimit detar, tregojnë se disa anije të lidhura me Iranin kanë arritur ta kalojnë këtë bllokadë.

