Haxhiu në Akademinë Përkujtimore në nderim të martirëve të Masakrës së Studimes
Jemi mbledhur sot këtu, në Studime, në vendin ku më 2 maj 1999, brenda dy orësh, u ndërpre jeta e 116 civilëve shqiptarë.
Njëqind e gjashtëmbëdhjetë civilë shqiptarë, fëmijë, të rinj, gra, burra dhe pleq. Njerëz të paarmatosur, të kapur në kolonën e të dëbuarve që vinte nga rajoni i Shalës, përmes Sllakocit e Cecelisë, drejt Studimes dhe Vushtrrisë.
Ata po largoheshin nga fshatrat e rrethuara për të mbetur gjallë, por rruga e tyre u ndërpre nga forcat serbe. Një shtet i tërë e kishte kthyer aparatin e vet ushtarak, policor dhe paramilitar në një makineri të spastrimit etnik, të vrasjeve dhe të gjenocidit.
Pas masakrës së 2 majit, për familjet e Studimes nuk përfunduan as tmerri, as dhuna. Masakra nuk ishte fundi i operacionit gjenocidal të Serbisë, ishte vetëm njëra nga hallkat e tij. Të vrarët mbetën pas. Gratë, fëmijët dhe të moshuarit u dëbuan drejt Shqipërisë. Burrat, të ndarë nga kolona, u dërguan në burgun e Smrekonicës, ku u rrahën, u morën në pyetje, u mbajtën në kushte çnjerëzore dhe u torturuan.
Serbia nuk u mjaftua me vrasjen. Ajo synoi ta zbrazte vendin, ta thyente familjen, ta poshtëronte të mbijetuarin dhe ta linte krimin pa u ndëshkuar. Edhe sot, Serbia strehon kriminelë lufte, kështu vepron një shtet kur krimin e ka kthyer në politikë.
Prandaj, kur flasim për Studimen, flasim edhe për Nabërgjanin, ku një ditë para kësaj masakre u vranë 17 civilë shqiptarë. Flasim edhe për Bukoshin, ku një ditë pas Studimes, 25 burra dhe djem u morën nga kolona e të dëbuarve dhe u ekzekutuan në oborrin e shkollës. Flasim për Mejën, për Krushën, për Izbicën, për Poklekun, për Rezallën, për Korenicën dhe për shumë vende të tjera, ku Serbia la pas njerëz të vrarë, nëna pa fëmijë dhe fëmijë pa prindër.
Të dashur familjarë,
Ju keni jetuar me mungesën më gjatë sesa me praninë e shumë prej më të dashurve tuaj. Keni jetuar me kujtime, me pritje dhe me shumë pyetje për të cilat ende nuk keni përgjigje. Por keni qëndruar. Keni ruajtur të vërtetën, edhe kur të tjerët janë përpjekur ta shtrembërojnë. Dhe, më e rëndësishmja, keni folur kur është dashur të dëshmohet për krimet e Serbisë.
Shteti do të jetë pranë jush jo vetëm në përvjetorë. Do të jemi pranë jush në mbledhjen e dëshmive, në prokurori, në gjykata, në arkiva, në kujtesën publike, në shkolla dhe në diplomaci.
Këtë përgjegjësi e ndiej thellë edhe unë, në detyrën që mbaj sot, dhe zotohem se Studimja nuk do të mbetet vetëm në kujtesën e familjeve, por edhe në punën e përditshme të institucioneve. Sepse Studimja, përveç dhimbjes së familjarëve, është pjesë e historisë politike të Republikës së Kosovës.
Njerëz të pafajshëm u vranë sepse ishin shqiptarë dhe sepse Serbia synonte një Kosovë pa shqiptarë. Sot, ne jetojmë në Republikën e Kosovës sepse ai projekt dështoi. Dështoi nga qëndresa e popullit tonë. Dështoi nga lufta çlirimtare. Dështoi nga sakrifica e martirëve dhe dëshmorëve. Dështoi nga ndërhyrja e aleatëve tanë perëndimorë. Dështoi sepse vullneti për liri ishte më i fortë se terrori.
Sot, në përvjetorin e 27-të të Masakrës së Studimes, me përulje dhe respekt i kujtojmë 116 civilët e vrarë më 2 maj 1999. Kujtojmë martirët e Nabërgjanit. Kujtojmë burrat dhe djemtë e Bukoshit. Kujtojmë të gjithë të vrarët, të zhdukurit me dhunë, të dëbuarit, të mbijetuarit, të burgosurit dhe të torturuarit e luftës së fundit në Kosovë.
I kujtojmë, sepse janë themel i lirisë sonë. I nderojmë, sepse mbi sakrificën e tyre është ngritur Republika. Dhe kërkojmë drejtësi, sepse pa të, kujtesa mbetet e paplotë, familjarët mbeten të rënduar dhe paqja mbetet e cunguar.
Lavdi të gjithë dëshmorëve dhe martirëve të kombit.
Lavdi popullit të Kosovës që nuk u përkul.

