MaqedoniTop Lajme

Përfundon grumbullimi i dokumenteve për ekstradimin e Gruevskit

Shpërndaje

Të gjitha dokumentet e nevojshme për ekstradimin e ish-kryeministrit Nikolla Gruevski janë dorëzuar në Ministrinë e Drejtësisë.

Këtë për Telma e konfirmojnë nga Gjykata Penale, ku aktualisht ende zhvillohen, por edhe ka tashmë procese të përfunduara kundër të akuzuarit dhe të dënuarit, azilkërkues.

Nga Ministria e Drejtësisë kanë kërkuar nga gjykata që të dorëzohen të gjitha ndryshimet që mund të ndikojnë në procedurën e ekstradimit, për çka kanë marrë përgjigjet e nevojshme. Edhe ministri i Drejtësisë, Igor Filkov, para dy ditësh konfirmoi se po pritet formimi i qeverisë së re në Hungari, vendi ku u arratis Gruevski, në mënyrë që të njoftohen institucionet atje se Maqedonia është e interesuar që Gruevski të kthehet në vend.

Ndërkohë, qeveria në Hungari pritet të konstituohet më 9 maj, Ditën e Evropës.

Pas rënies së Viktor Orbanit, fituesi i zgjedhjeve në Hungari, Peter Magyar, paralajmëroi mundësinë e heqjes së azilit për Gruevskin, duke hapur kështu edhe rrugën për ekstradimin.

Ish-kryeministri u arratis në Hungari në nëntor të vitit 2018 dhe mori azil politik.

Maqedonia deri më tani ka paraqitur një kërkesë për ekstradim në vitin 2018, si dhe një plotësim të kërkesës në vitin 2019, por Budapesti e refuzoi me arsyetimin se Gruevskit i është dhënë azil dhe, sipas ligjeve hungareze, një person që ka marrë azil në Hungari nuk mund të ekstradohet në shtetin nga i cili ka ikur.

Në Gjykatën Penale në Shkup deri tani ka tre vendime për të arratisurin, ish-kryeministrin Nikolla Gruevski. Për rastin “Tank”, përkatësisht për furnizimin e Mercedesit të blinduar, ekzekutimi i dënimit është parashkruar.

Një dënim aktiv prej një viti e gjysmë burg ka për rastin “Shuplakat në Qendër”, i cili parashkruhet në shtator të vitit të ardhshëm. Dënimi më i lartë prej nëntë vjetësh burg për pastrim parash në rastin “Parcelat në Vodno” parashkruhet vetëm në vitin 2043.

Të dyja këto janë dhënë në mungesë, prandaj ai, nëse ekstradohet, mund të kërkojë rigjykim. Rigjykim mund të kërkojë vetë ai nëse nuk ka qenë i informuar për vendimet, ose edhe shteti nga i cili kërkohet ekstradimi, si kusht që ai të marrë drejtësi nëse ekstradohet.

Sipas burimeve nga gjykata, problematike ishte fakti se në rastin “Parcelat në Vodno” ai personalisht kishte dhënë autorizim që avokati të paraqesë ankesë në Gjykatën Supreme, gjë që do të ishte dëshmi se ai ka qenë i informuar për vendimin.

Megjithatë, pas shqyrtimit të lëndës nga Telma, pikërisht kjo autorizim nuk u gjet në dosje.

Fillimisht, në fletarrestin ndërkombëtar shkruhej se kërkohej për paraburgim 30-ditor për hetimin e ngjarjeve të 27 prillit 2017 në Kuvend si organizator, por tani kjo është ndryshuar dhe Gruevski kërkohet si i dënuar me dënime me burg./albazone.mk