MaqedoniTop Lajme

UNT prezanton strategjinë për vitin 2026/2027 dhe portalin e ri të karrierës para drejtorëve të shkollave të mesme

Shpërndaje

Sot, në një ambient pune në kabinetin e tij, rektori i Universitetit “Nënë Tereza” në Shkup, Prof. Dr. Bekim Fetaji, mirëpriti në një takim zyrtar drejtorët e shkollave të mesme me qëllim ngritjen e bashkëpunimit institucional dhe bashkërendimin e aktiviteteve për orientimin e maturantëve.

Rektori Fetaji, i shoqëruar nga prorektori për Arsim, Prof. Dr. Fati Iseni, Dr. Arbnor Rushiti dhe Mr. Ilir Idrizi, njoftoi drejtorët e shkollave të mesme për zhvillimet e fundit akademike të UNT-së dhe përgatitjet intensive që po bëhen për pranimin e gjeneratës së re të studentëve.

Gjatë takimit u diskutuan pikat vijuese si përgatitjet për vitin e ri akademik 2026/2027, një prezantim i strategjisë promovuese dhe ofertës akademike të 8 fakulteteve të UNT-së. Infrastruktura e digjitalizimit, njoftimi mbi kushtet moderne në kampusin tone dhe shërbimet e reja digjitale, si Portali i Karrierës e cila do të lansohet më 7 maj ku dukshëm do të lehtëson rrugëtimin e studentëve drejt tregut të punës.

Rektori Fetaji theksoi se koordinimi i ngushtë me shkollat e mesme është thelbësor për tu ofruar të rinjve një pasqyrë të qartë mbi mundësitë e studimit në një mjedis bashkëkohor që garanton zhvillim profesional.

Drejtorët e shkollave të mesme shprehën gatishmërinë e tyre për të thelluar këtë partneritet, duke e vlerësuar UNT-në si një qendër të rëndësishme akademike në kryeqytet.

UNT SHPALOS MUNDËSITË E KARRIERËS NË NATO PËR STUDENTËT DHE PROFESIONISTËT

Shkup, 05.05.2026 – Universiteti “Nënë Tereza” në Shkup (UNT) organizoi një ligjëratë të hapur me titull “NATO Career Opportunities”, me qëllim informimin e studentëve dhe stafit akademik mbi shtigjet e ndryshme të karrierës në organizatën më të madhe ushtarake-politike në botë. Ngjarja u moderua nga prorektori për Arsim, Prof. Dr. Fati Iseni, i cili theksoi rëndësinë e këtij sesioni për t’i sjellë studentët më afër mundësive për të kontribuar në sigurinë globale dhe inovacion.

Ligjëratën e hapi Rektori i UNT-së, Prof. Dr. Bekim Fetaji, i cili mirëpriti mysafirët dhe inkurajoi të pranishmit që të shfrytëzojnë këto platforma për zhvillim ndërkombëtar profesional.

Gjatë këtij sesioni, dy përfaqësues të lartë nga selia e NATO-s ndanë informacione praktike dhe përvojat e tyre, ku znj. Dorka Balla-Johnson prezantoi një pasqyrë të detajuar të programeve të NATO-s, duke përfshirë, programin e praktikës (Internship), i hapur për persona mbi 21 vjeç, me një kohëzgjatje prej 6 muajsh në Bruksel dhe një grant mujor prej rreth 1,300 Euro, ajo gjithashtu elaboroi edhe për programin e profesionistëve të rinj (YPP), një program 3-vjeçar për kandidatët me titull Master dhe të paktën një vit përvojë pune si dhe për pozitat e stafit civil, si një mundësi punësimi në fusha si teknologjia, mbrojtja kibernetike, financat, dhe marrëdhëniet ndërkombëtare.

Ndërsa, Dr. Blagoj Delipetrev, arkitekt i Inteligjencës Artificiale në NATO, ndau rrugëtimin e tij personal i punësuar në HQ të NATO-s. Ai elaboroi mbi, procesin e rrekrutimit, nga aplikimi në portalin e karrierës deri te testet e shkruara dhe intervistat kompetencë-bazuar (metoda STAR). Programin “Shkenca për Paqe dhe Siguri” (SPS), me mundësitë për universitete dhe institucione kërkimore për të përfituar grante për projekte shumëvjeçare deri në 400,000 Euro si dhe për rolin e IA-së, për përdorimin e Inteligjencës Artificiale në politikat e NATO-s dhe zhvillimin e mjeteve si “AI Chatbot”.

Për të gjithë të interesuarit, u bë e ditur se cikli i aplikimit për praktika zakonisht zhvillohet gjatë periudhës prill-maj. Kandidatët duhet të jenë shtetas të një vendi anëtar të NATO-s dhe të zotërojnë gjuhën angleze ose franceze.

Ngjarja u përmbyll me një sesion interaktiv pyetje-përgjigje, ku studentët e cikleve të parë dhe të dytë patën mundësinë të konsultohen direkt me ekspertët për hapat e tyre të ardhshëm drejt një karriere ndërkombëtare.