MaqedoniTop Lajme

Kasami: Nga 9 maji çdo funksionar i përgjigjet VLEN-it, riformatimi mundësi e mirë për të përmirësuar gabimet

Shpërndaje

Njëri nga liderët e VLEN-it, Bilall Kasami, në intervistën e lajmeve në Alsat M, theksoi se më 9 maj ndryshon realiteti i VLEN-it dhe çdo funksionar do t’i përgjigjet kryesisë së partisë VLEN.

Ai tha se Kongresi i Bashkimit të VLEN-it dhe riformatimi i Qeverisë menjëherë pas bashkimit është përshtatje ideale e rrethanave.

“Deri tani VLEN ka pasur një realitet tjetër. Ajo ka qenë 5 subjekte politike të organizuara në një koalicion. Prej 9 majit, do të kemi realitet tjetër, të gjithë funksionarët do të jenë të VLEN-it. Besoj që riformatimi i Qeverisë është në kohën e duhur, kur ne si VLEN duhet të rishikojmë performancën tonë në Qeveri dhe ta shohim se ku duhet të shkojmë”, deklaroi Kasami.

Kasami theksoi se ky riformatim i Qeverisë është mundësi e mirë për të përmirësuar gabimet dhe të ngrihet performanca e ekzekutivit në një nivel tjetër.

“Tani më nuk kemi kohë për provim shtesë, për afat shtesë, sepse zgjedhjet e rregullta janë jo më larg se 2 vjet prej tani. Dhe riformatimi i ardhshëm i Qeverisë do të jetë mundësi e mirë që gabimet të cilat i kemi bërë t’i përmirësojmë dhe ta arrijmë performancën që e presin qytetarët”, tha Bilall Kasami.