Dëgjohen zhurma të ngjashme me shpërthime pranë qytetit Bandar Abbas dhe ishullit Qeshm në Iran
Disa zhurma të ngjashme me shpërthime janë dëgjuar në mbrëmje pranë qytetit jugor iranian Bandar Abbas dhe ishullit Qeshm, transmeton Anadolu.
Agjencia gjysmëzyrtare Fars News tha se banorët në Bandar Abbas dëgjuan disa zhurma që u ngjanin shpërthimeve nga zonat pranë qytetit.
Burimi dhe vendndodhja e saktë e shpërthimeve mbeten të paqarta.
Agjencia e lajmeve Tasnim gjithashtu raportoi për shpërthime të dëgjuara në Bandar Abbas dhe Qeshm, duke cituar burime lokale.
Burime të cituara nga Tasnim thanë se zhurmat mund të kenë qenë të lidhur me operacione të Marinës së Gardës Revolucionare Islamike (IRGC), e cila thuhet se ka paralajmëruar anije për kalim të paautorizuar në Ngushticën e Hormuzit, megjithëse nuk ka konfirmim zyrtar.
Transmetuesi shtetëror IRIB tha se një shpërthim u dëgjua në skelën e pasagjerëve Bahman në ishullin Qeshm.
Sipas raportimeve, kjo skelë kishte qenë më parë shënjestër e sulmeve SHBA-Izrael.
Agjencia Mehr tha se natyra dhe përmasat e incidentit janë ende nën hetim dhe se asnjë organ zyrtar nuk ka komentuar ende mbi shkakun e tingujve.
Po ashtu u raportua se në rajon shpërthimet duket se janë të lidhura me përleshje në ujërat pranë rrethit Sirik.
Raportimet vijnë në një kohë tensionesh të larta në Ngushticën e Hormuzit ditët e fundit, përfshirë përballje mes forcave detare iraniane dhe atyre amerikane.
Mediat iraniane kanë raportuar më parë se forcat iraniane kanë reaguar ndaj përpjekjeve të anijeve të lidhura me SHBA-në për të kaluar në këtë rrugë strategjike, ndërsa Teherani ka akuzuar forcat amerikane për shënjestrimin e anijeve të peshkimit në zonë.

