Zyrtari izraelit: Aeroporti Ben Gurion i Izraelit është bërë “bazë ushtarake amerikane”
Kreu i Autoritetit të Aviacionit Civil të Izraelit, Shmuel Zakay, ka paralajmëruar se Aeroporti Ben Gurion në Tel Aviv është shndërruar praktikisht në një “bazë ushtarake amerikane”, duke penguar fluturimet civile dhe duke kërcënuar linjat ajrore izraelite, transmeton Anadolu.
Siç raportoi e përditshmja Yedioth Ahronoth, Zakay i tha ministres së Transportit, Miri Regev dhe drejtorit të përgjithshëm të ministrisë, Moshe Ben Zaken, se aktiviteti ushtarak në aeroportin kryesor ndërkombëtar të Izraelit po vonon rikthimin e kompanive të huaja ajrore dhe po rrit çmimet e biletave para sezonit veror të turizmit.
Në javët e fundit, mediat izraelite publikuan imazhe që tregonin dhjetëra avionë ushtarakë amerikanë, përfshirë avionë furnizimi me karburant, të stacionuar në aeroport mes mbështetjes së vazhdueshme ushtarake amerikane për Izraelin.
“Shndërrimi i Aeroportit Ndërkombëtar Ben Gurion në një bazë ushtarake dëmton rikthimin e linjave të huaja ajrore dhe kërcënon stabilitetin financiar të linjave ajrore izraelite”, tha Zakay.
Ai theksoi se tensionet rajonale që nga fillimi i luftës me Iranub më 28 shkurt kanë ndikuar ndjeshëm në trafikun civil ajror, me linjat ajrore izraelite që kanë zhvendosur shumë avionë jashtë vendit, disa prej të cilëve ende nuk janë kthyer.
Zakay tha se establishmenti ushtarak izraelit nuk e kupton plotësisht dëmin e shkaktuar ndaj aviacionit civil apo ndikimin mbi çmimet e biletave dhe publikun.
“Aeroporti Ben Gurion është bërë një bazë ushtarake me aktivitet të kufizuar civil”, tha ai.
Zakay gjithashtu paralajmëroi se situata përbën “një kërcënim real” për kompanitë më të vogla ajrore izraelite, përfshirë Israir, Arkia dhe Air Haifa, për shkak të rritjes së kostove operative dhe të karburantit, si dhe kërkesës në rritje për fluturime.
Ai bëri thirrje për zhvendosjen e avionëve amerikanë nga Aeroporti Ben Gurion në baza ushtarake, duke theksuar se situata aktuale dëmton jo vetëm linjat ajrore, por edhe “të gjithë qytetarët e vendit”.
– Prania amerikane në rritje
Gazeta izraelite gjithashtu citoi drejtorin ekzekutiv të linjës ajrore Israir, Uri Sirkis, i cili gjatë një mbledhjeje të Komitetit për Çështje Ekonomike të Knessetit tha se kompania, e cila zakonisht parkon 17 avionë në Aeroportin Ben Gurion, tani lejohet të mbajë vetëm katër gjatë natës.
Ai tha se kufizimet po rrisin çmimet e biletave ajrore dhe po kufizojnë numrin e fluturimeve që linjat ajrore izraelite mund të operojnë.
Këto zhvillime ndodhin mes një pranie ushtarake amerikane në rritje në Izrael dhe tensioneve të vazhdueshme rajonale të lidhura me luftën me Iranin dhe mundësinë e një përballjeje të re.
Të enjten, transmetuesi Channel 24 raportoi se qindra izraelitë morën njoftime për anulimin e rezervimeve hoteliere në qytetin turistik jugor Eilat për të akomoduar trupat amerikane.
Transmetuesi tha se hotelet informuan mysafirët se rezervimet nga ky muaj deri në nëntor, përfshirë sezonin veror të pushimeve, ishin anuluar.
Së fundmi, mediat izraelite gjithashtu raportuan se Izraeli ka rritur nivelin e gatishmërisë ushtarake në përgatitje për një rifillim të mundshëm të luftës me Iranin nëse negociatat mes Teheranit dhe Washingtonit dështojnë.
Tensionet rajonale janë përshkallëzuar që kur SHBA-ja dhe Izraeli nisën sulme ndaj Iranit më 28 shkurt, duke shkaktuar kundërpërgjigje nga Teherani kundër Izraelit dhe aleatëve amerikanë në Gjirin Persik, si dhe mbylljen e Ngushticës së Hormuzit.
Një armëpushim hyri në fuqi më 8 prill përmes ndërmjetësimit pakistanez, por bisedimet në Islamabad nuk arritën të prodhonin një marrëveshje të qëndrueshme. Presidenti amerikan, Donald Trumpm më vonë e zgjati armëpushimin, pa një afat të caktuar.
Dje, Iran i dërgoi Pakistanit përgjigjen e tij ndaj një propozimi amerikan për përfundimin e luftës, por Trump e hodhi poshtë duke e quajtur “plotësisht të papranueshme”.

