Kasami: Reagimet e BDI-së janë histerike, në VLEN nuk do të ketë uzurpim të pozitës së kryetarit
Bashkëkryetari i VLEN, Bilall Kasami, ka reaguar ndaj kritikave të BDI lidhur me këndimin e himnit të Evropës në aktivitetin e 9 Majit, duke i cilësuar ato si reagime “histerike”.
Në një intervistë në emisionin 360 shkallë në RTM2, Kasami deklaroi se reagimet e BDI-së vijnë pasi kjo parti, sipas tij, për dy vite i kishte bindur mbështetësit e saj se VLEN nuk do të arrinte të bashkohej në një subjekt të vetëm politik.
“Mendoj që janë reagime histerike të BDI-së dhe mbështetësve të tyre, sepse ata i kanë mbajtur mbështetësit e tyre me bindjen se VLEN asnjëherë nuk do të bashkohej në një parti. Kur kjo ndodhi, ata patjetër duhej të na sulmonin me diçka”, deklaroi Kasami.
Ai shtoi se aktiviteti i 9 Majit, i organizuar në Ditën e Evropës, kishte për qëllim të përcillte një mesazh të qartë pro-evropian dhe qytetar.
“Në 9 Maj nuk kishim mund të dërgonim mesazh më të mirë se sa që të gjithë së bashku jemi qytetarë të Evropës dhe dëshirojmë që sa më shpejt të jemi edhe në aspektin formal-juridik pjesë e Evropës”, u shpreh Kasami.
Kasami foli edhe për modelin e ri organizativ të VLEN-it dhe arsyet pse subjekti politik është organizuar me dy bashkëkryetarë.
Sipas tij, shqiptarët në Maqedoninë e Veriut kanë vuajtur për vite nga uzurpimi i pozitës së kryetarit të partisë, gjë që shpesh ka prodhuar përçarje politike.
“Të shtyrë nga kjo situatë reale, ne tashmë jemi bashkuar fillimisht si koalicion për të punuar për një kohë të gjatë, rreth dy vjet, dhe për të parë se cili është modeli më i mirë për ne që të jemi së bashku, dhe për të zvogëluar rrezikun e përçarjeve pas kësaj”, deklaroi ai.
Kasami sqaroi se modeli i VLEN-it nuk bazohet vetëm te dy bashkëkryetarët, por te një strukturë kolektive vendimmarrjeje.
“Nuk është vetëm parimi i dy kryetarëve, por në përgjithësi – në vend të një kryetari, udhëheqësi, i pamposhtur, i cili merr vendime në të gjitha partitë e tjera politike, këtu kemi një presidencë, këtu kemi organ kolektiv ku vendimet do të merren përgjithësisht midis atyre pesë anëtarëve të asaj presidence të ngushtë të VLEN-it”, tha Kasami.
Ai shtoi se vendimet në VLEN do të merren me konsensus, ndërsa në rast se konsensusi nuk arrihet, vendimi do të kalojë me shumicë votash.
“Katër me një. Dhe për këtë arsye ky është shembulli më i mirë se në VLEN nuk do të ketë uzurpim të pozicionit. Pra, në situatën nëse unë nuk pajtohem me një vendim, dhe katër anëtarët e tjerë të kësaj kryesie të ngushtë janë unanimë, atëherë vendimi do të merret”, deklaroi Kasami.
Sipas tij, ky model përfaqëson një mënyrë të re funksionimi politik, ku subjektet dhe strukturat e ndryshme brenda VLEN-it do të jenë pjesë e vendimmarrjes së përbashkët.
“Mendoj se është një model që pasqyron realitetin e të ardhurit nga pesë struktura të ndryshme ku secila strukturë dëshiron të jetë pjesë e vendimmarrjes së entitetit të ardhshëm”, tha Kasami, duke shtuar se synimi i VLEN-it është të krijojë një subjekt politik që do t’u shërbejë qytetarëve dhe shqiptarëve në vend. përcjell Zhurnal.mk .

