MaqedoniTop Lajme

Në Fakultetin Pedagogjik të Universitetit të Tetovës u mbajtën trajnime për Sigurinë dhe Etikën Digjitale

Shpërndaje

Në kuadër të projektit “Siguria dhe Etika Digjitale” të Fakultetit Pedagogjik të Universitetit të Tetovës, i mbështetur nga Qendra Maqedonase për Edukim Qytetar (QMEQ) – Shkup, më 13.05.2026 dhe 14.05.2026 u realizuan trajnimet me studentët e vitit të parë të të gjitha programeve studimore të Fakultetit Pedagogjik, me temat “Siguria Digjitale” dhe “Etika Digjitale”. Aktivitetet u zhvilluan në kuadër të realizimit të projektit, nën udhëheqjen e Doc. Dr. Agron Iljazit, udhëheqës i projektit.

Trajnimi për Sigurinë Digjitale, i mbajtur më 13.05.2026, u zhvillua nga Prof. Dr. Florim Idrizi, profesor në Fakultetin e Shkencave Matematike-Natyrore, i cili trajtoi çështje të rëndësishme që lidhen me sigurinë në hapësirën online, mbrojtjen e të dhënave, vetëdijesimin për rreziqet e internetit dhe format e sjelljes së sigurt në mjedisin digjital.

Ndërkaq, trajnimi për Etikën Digjitale, i realizuar më 14.05.2026, u mbajt nga Prof. Dr. Kushtrim Ahmeti, profesor në Fakultetin Filozofik të Universitetit të Tetovës, i cili me studentët trajtoi tema që lidhen me etikën në komunikimin online, përgjegjësinë në përdorimin e teknologjisë, sfidat e mediave të reja, format e ngacmimit kibernetik, gjuhën e urrejtjes dhe rëndësinë e edukimit digjital në parandalimin e sjelljeve të papërshtatshme në hapësirën online.

Trajnimet u mbajtën në ambientet e Fakultetit Pedagogjik të Universitetit të Tetovës, në formë ndërvepruese, duke përfshirë ligjërim, diskutime, punëtori dhe punë në grupe, me pjesëmarrje aktive të studentëve gjatë të dyja ditëve. Përmes këtij angazhimi, studentët patën mundësi të zgjerojnë njohuritë e tyre dhe të reflektojnë mbi rëndësinë e përdorimit të sigurt, etik dhe të përgjegjshëm të teknologjisë në jetën akademike dhe të përditshme.

Këto aktivitete përbëjnë vazhdimësinë e realizimit të projektit “Siguria dhe Etika Digjitale”, i cili synon promovimin e kulturës së përdorimit të sigurt, etik dhe të përgjegjshëm të teknologjisë te nxënësit dhe studentët.