MaqedoniTop Lajme

VLEN: LSDM po sillet si fytyra e dytë e BDI-së

Shpërndaje

VLEN ka reaguar ndaj zhvillimeve të fundit politike, duke deklaruar se qëndron plotësisht pas kryetarit të Kuvendit, Afrim Gashi, dhe duke akuzuar Lidhja Social Demokrate e Maqedonisë për obstruksione politike dhe bllokim të proceseve shtetërore.

Në reagimin e VLEN-it thuhet se Gashi, për të shmangur bllokimin e institucioneve, është detyruar të ndërmarrë hapa “jo popullorë”, të cilët, sipas tyre, janë në përputhje me Kushtetutën dhe Rregulloren e Kuvendit.

Nga VLEN shprehin keqardhje për, siç thonë, qasjen e LSDM-së, duke vlerësuar se kjo parti në përpjekje për të rikthyer besimin e qytetarëve po krijon vazhdimisht kundërshtarë të rinj politikë.

“Qeveria aktuale udhëheq shtetin vetëm prej dy vitesh dhe gjatë kësaj periudhe është marrë kryesisht me problemet dhe borxhet e trashëguara nga qeveria e kaluar”, thuhet në reagim.

Koalicioni shqiptar akuzon se LSDM po sillet ngjashëm me Bashkimi Demokratik për Integrim, duke tentuar, sipas tyre, të bllokojë funksionimin e shtetit vetëm për shkak se ndodhet në opozitë.

“VLEN nuk do të lejojë obstruksione ndaj shtetit për të cilat do të vuajnë qytetarët”, thuhet më tej në reagim.

Në fund, nga VLEN i bëjnë thirrje LSDM-së që t’i përgjigjet opinionit publik nëse, siç shprehen ata, “po bëhet fytyra e dytë e BDI-së”.