Shqipëria hap fazën përmbyllëse drejt BE-së: Rama flet për një tjetër fitore
Kryeministri shqiptar ka reaguar me një mesazh të fortë lidhur me ecurinë e negociatave me Bashkimin Europian, duke theksuar se parashikimet për bllokim dhe dështim rezultuan të pavërteta. Sipas tij, Shqipëria po vazhdon rrugëtimin europian me hapa konkretë, ndërsa më 26 maj në Bruksel pritet të shënohet një tjetër moment i rëndësishëm në procesin e anëtarësimit.
Postimi i plotë:
MIRËMËNGJES🇦🇱☀️🇪🇺
Thanë negociatat u bllokuan.
Thanë Shqipëria u ndëshkua.
Thanë Europa u zgjua dhe narkoregjimi u zbulua.
U lëshuan rrugëve me molotovë, për ta djegur Shqipërinë në sytë e të huajve. U lëshuan nëpër Europë me thasë balte e llumi, për ta zhgarravitur Shqipërinë në sytë e të huajve. U gënjyen si gjithnjë nga mendja e tyre dhe gënjyen edhe ata gjithnjë e më të paktë, që shkojnë me atë mendje.
Humbën përsëri. Dhe Shqipëria përsëri fitoi🇦🇱😍🇪🇺
Më 26 maj në Bruksel, Konferenca Ndërqeveritare Shqipëri – BE vulos me sukses fazën hyrëse dhe çel fazën përmbyllëse të negociatave të anëtarësimit. Sepse ndryshe nga si e përflasin ditë e natë ata që gjithnjë humbasin në fund, Shqipëria Europiane që po ndërtojmë është një histori suksesi, e cila shkruhet me vizion, punë e përkushtim, hap pas hapi, e në fund gjithnjë fiton🇦🇱💪🇪🇺
Kjo është një tjetër ditë krenarie për Shqipërinë, për skuadrën tonë të madhe, për të gjitha repartet e saj në çdo pjesë të fushës së përgjegjësive publike, për shumicën parlamentare, për qeverinë, për institucionet e pavarura, e sigurisht për ata që i përfaqësojnë ato në tryezën e negociatave për Shqipërinë 2030 në BE🇦🇱🙏🇪🇺
Urime të gjithëve e mbi të gjitha faleminderit çdo shqiptari e shqiptareje, që na beson e na mbështet në rrugën e këtij misioni historik🇦🇱🫶🇪🇺
Forca Shqipëria🇦🇱🦅🇪🇺

