UNT dhe NQP-Shkup bashkëpunojnë për krijimin e linjave të reja të autobusëve për studentët
Shkup, 04.06.2026 – Sot, në kabinetin e tij të punës, rektori i Universitetit “Nënë Tereza” në Shkup, Prof. Dr. Bekim Fetaji, i shoqëruar nga kryetarja e Senatit, Prof. Dr. Olivera Petrovska dhe prorektorja, Prof. Inor. Dr. Diturije Ismaili, mirëpritën në një takim zyrtar përfaqësuesit e Ndërmarrjes së Qarkullimit Publik (NQP/JSP) Shkup, udhëheqësin e Sektorit të Komunikacionit dhe Kontrollit, z. Toni Bogdanoski, si dhe znj. Sonja Dameva dhe znj. Marija Cvetanovska.
Qëllimi i këtij takimi ishte shqyrtimi i mundësive për krijimin dhe modifikimin e linjave të autobusëve urbanë, me synim lehtësimin e qarkullimit dhe qasjes më të shpejtë e më të sigurt të studentëve dhe stafit akademik drejt kampusit të Universitetit “Nënë Tereza” në Shkup.
Gjatë bashkëbisedimit, rektori Fetaji theksoi rëndësinë jetike që ka transporti publik efikas për mbarëvajtjen e procesit ligjërues, duke pasur parasysh rritjen e vazhdueshme të numrit të studentëve që ndjekin studimet në UNT. Nga ana tjetër, përfaqësuesit e NQP Shkup shprehën gatishmërinë e plotë për bashkëpunim institucional, duke premtuar analizimin e rrjetit ekzistues të komunikacionit dhe gjetjen e zgjidhjeve më të favorshme infrastrukturore që do t’u përgjigjeshin nevojave të komunitetit universitar me rezultate për një afat të shpejtë kohor.

