RajoniTop Lajme

A mund të qeverisë LVV e vetme? Tre skenarët e mundshëm për qeverinë e re

Shpërndaje

Lëvizja Vetëvendosje del e para në zgjedhje, por mbetet nën shumicën prej 61 mandatesh, duke e bërë të domosdoshëm koalicionin për formimin e qeverisë së re.

Zgjedhjet e 7 qershorit prodhuan një diferencë mes partisë së parë dhe të tjerave pas saj, por jo vendimtar sepse në fund qeverinë nuk e formon diferenca në vota, por vendimmarrja në kuvend.

Bazuar në rezultatet preliminare të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Lëvizja Vetëvendosje prin me 42,91% të votave, e pasuar nga PDK-ja me 21,12%, LDK-ja me 17,58% dhe AAK-ja me 7,15%.

Rezultatet bazohen në numërimin preliminar të të gjitha votave brenda vendit, ndërsa gjatë ditëve të ardhshme pritet numërimi i votave me kusht dhe atyre me postë, të cilat mund të ndryshojnë përqindjen e partive por jo renditjen.

Sipas një projeksioni të publikuara të dielën në platformën X nga analisti politik Blerim Vela, projeksioni final – duke përfshirë edhe votat me postë të diasporës – Lëvizja Vetëvendosje mund të arrijë 46% të votave apo 51 mandate në kuvendin e ri.

Përllogaritjet, të cilat bazohen në ndarjen e parashikuar të votave të diasporës 60-40 në favor të LVV-së, parashohin që partitë e opozitës të sigurojnë në plotni 49 ulëse në legjislaturën e re.

A mund të qeverisë e vetme Lëvizja Vetëvendosje apo kërkohen koalicione?

Me 51 mandate të projektuara në kuvendin e ri, partia e kryeministrit në detyrë Albin Kurti mbetet pak nën shumicën absolute prej 61 votave, të mjaftueshme për të qeverisur e vetme.

Për rrjedhojë, qeveria e vetme e Kurtit nuk është e mundshme pa partnerë. Por, ekzistojnë disa skenarë.

Në “Skenarin A”, Vetëvendosje mund të formojë shumicën e mjaftueshme për formimin e qeverisë (61 deputetë) përmes një koalicioni me pakicat joserbe dhe Partinë për Liri, Drejtësi dhe Mbijetesë të komunitetit serb, e cila drejtohet nga ministri në detyrë Nenad Rashiq.

51 mandatet e Lëvizjes Vetëvendosje dhe 11 pakica joserbe me PLDM-në e Rashiqit arrijnë në 62 vota të mjaftueshme për qeverinë e re.

Llogaritjet mund të ndërlikohen nga dy lojtarë politike me të cilët Vetëvendosje nuk ka gjetur gjuhë të bashkëpunimit në dy vitet e fundit: Duda Balje dhe Adem Hodza. Të dy përfaqësues të komuniteteve joshumicë kanë siguruar nga një mandat në kuvendin e ri.

Pa dy votat eventuale të Baljes dhe Hodzës, numrat për qeverinë e re nuk do të mjaftonin.

“Skenari B” përfshin Lëvizjen Vetëvendosje në koalicion me një nga partitë e tjera të opozitës: PDK-në, LDK-në ose AAK-në. Ky konsiderohet edhe skenari më i mundshëm, duke marrë parasysh edhe çështjen e zgjedhjes së presidentit, e cila mbetet një nga sfidat kryesore përpara subjekteve politike parlamentare.

Për zgjedhjen e presidentit kërkohet një shumicë prej dy të tretash të deputetëve, çka do të mund të arrihej vetëm përmes një marrëveshjeje të gjerë politike mes Vetëvendosjes, partive kryesore të opozitës dhe deputetëve nga komunitetet joserbe.

Ndërkohë, “Skenari C” e përjashton Lëvizjen Vetëvendosje nga kalkulimet për formimin e qeverisë së re. Sipas këtij skenari, opozita e bashkuar, së bashku me komunitetet joshumicë përfshirë Listën Serbe – e cila, bazuar në rezultatet aktuale, ka nëntë mandate – mund të sigurojë shumicën për formimin e qeverisë, por pa numrat e nevojshëm për zgjedhjen e presidentit. /Paparaci.com