RajoniTop Lajme

Hamza: Abstenimi i votuesve është mesazh për stabilitet politik dhe institucional

Shpërndaje

>Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), njëherit kandidat për kryeministër nga kjo parti, Bedri Hamza ka falënderuar të gjithë qytetarët e Kosovës, për siç ka thënë ai realizimin e qetë e të rregullt të procesit zgjedhor të 7 qershorit, raporton Ekonomia Online.

Hamza tha se gara nuk ka qenë e barabartë nga ana e Qeverisë në detyrë, duke përmendur se kryeministri në detyrë Albin Kurti ka keqpërdorur paranë publike.

“Rezultatet janë këto. Unë i uroj të gjitha partitë politike që kanë qenë në garë për rezultatin. Ka qenë një proces në vazhdën e disa proceseve zgjedhore. Për Partinë Demokratike të Kosovës rezultati është ky që është. Sigurisht se kemi pritur më shumë, kemi mund më shumë. Nëse i referohemi vendeve, Kuvendit të Republikës së Kosovës, unë pres që numri i deputetëve të jetë pak më i madh sesa që ka qenë në mandatin paraprak. Megjithatë, ne po presim përfundimin e procesit zgjedhor, numërimin e të gjitha votave dhe të shohim se ku po dalim si parti politike. Po pres që aktualisht janë 24 deputetë për Partinë Demokratike të Kosovës, megjithatë e presim fundin e procesit zgjedhor”, ka thënë ai.

“Zgjedhjet kanë qenë të lira, mirëpo nuk kanë qenë të drejta dhe kanë qenë të pabarabarta. Kanë qenë të pabarabarta shkak se është përdorur paraja publike, e cila sigurisht ka ndikuar edhe në rezultat. Dhe për këtë qëllim, unë kam thënë që zgjedhjet mund të jenë të lira, por nuk janë të ndershme. Përdorimi i parasë publike ka bërë efektin e vet, gjithashtu edhe resurset shtetërore të përdorura në proces, në proces zgjedhor. Çka është me rëndësi, është me rëndësi që të kemi konstituim të Kuvendit sa më shpejt, formim të qeverisë, zgjedhje të presidentit dhe mos të ketë vakum institucional për shkak se interesi i vendit është përtej interesit dhe mbi interesin e secilit subjekt politik”, tha Hamza.

Hamza tha se abstenimi i votës nga ana e qytetarëve është mesazh i qartë që këta të fundit duan stabilitet politik dhe institucional.

“Për Partinë Demokratike të Kosovës është një mesazh i qartë. Abstenimi i votuesve është mesazh për të gjithë liderët, që duhet ta kuptojnë, ta lexojnë drejt. Unë e kam kuptuar këtë mesazh, e kam lexuar drejt, që njerëzit kanë nevojë për stabilitet politik, kanë nevojë për stabilitet institucional, kanë nevojë që qeveria e vendit të merret me problemet e tyre, me përmirësimin e jetës dhe standardit të jetesës të qytetarëve, dhe jo vazhdimisht prodhohen situata, drama, kriza dhe çështje të tilla të ngjashme”, tha Hamza.

I pari i PDK-së tha se Këshilli Drejtues i partisë ka marrë vendim që të ketë zgjedhje të brendshme këtë vit.

“Si parti politike, si Parti Demokratike, neve na presin dy procese të rëndësishme. Ekziston veçse një vendim i Këshillit Drejtues që Partia Demokratike e Kosovës shkon në zgjedhjet e brendshme këtë vit, dhe ky proces veç ka filluar. Dhe ky proces do të vazhdojë dhe do të përfundojë në mënyrë të përgatitur, në mënyrë serioze dhe do të mbyllet ky cikël zgjedhor i brendshëm.

Unë si kryetar i Partisë Demokratike të Kosovës, që jam zgjedhur nga Kuvendi para disa muajve, sigurisht se jam në mandat të plotë për katër vjet, po megjithatë, megjithatë në këtë proces zgjedhor gara do të jetë e hapur për të gjitha nivelet, duke përfshirë prej nëndegëve, degëve, për Kuvendin, për Këshillin Drejtues dhe për kryetarin. Domethënë edhe pozita e kryetarit do të jetë një garë e hapur dhe do të garojnë ata që mendojnë që duhet me qenë pjesë e garës për kryetar të Partisë Demokratike të Kosovës”, tha Hamza.