BotaTop Lajme

Trump: Kam anuluar sulmet e planifikuara amerikane kundër Iranit

Shpërndaje

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka njoftuar se ka anuluar sulmet ushtarake dhe bombardimet e planifikuara kundër Iranit, të cilat ishin parashikuar për të martën në mbrëmje.

Vendimi vjen pas kërkesave nga liderët e disa vendeve të Gjirit dhe përparimeve në negociatat me Republikën Islamike të Iranit.

“Në bazë të faktit që diskutimet me Republikën Islamike të Iranit janë çuar në nivelin më të lartë të udhëheqjes iraniane dhe janë miratuar, unë, si President i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, kam anuluar sulmet dhe bombardimet e planifikuara kundër Iranit”, shkroi Trump në një postim në platformën Truth Social.

Presidenti amerikan theksoi se liderët e disa vendeve të Gjirit (përfshirë Katarin, Arabinë Saudite dhe Emiratet e Bashkuara Arabe) i kanë kërkuar që të ndalojë sulmin ushtarak sepse “negociata serioze janë duke u zhvilluar” dhe “një marrëveshje do të arrihet”.

Ai shtoi se ka udhëzuar ushtrinë amerikane të mbetet në gatishmëri të plotë për një sulm “në shkallë të gjerë” nëse nuk arrihet një marrëveshje e pranueshme.

Ky vendim vjen në mes të një periudhe të tensionuar të gjatë midis SHBA-së, Izraelit dhe Iranit.

Negociatat për t’i dhënë fund konfliktit, hapjen e Ngushticës së Hormuzit dhe çështjen e programit bërthamor iranian kanë qenë në qendër të diskutimeve prej muajsh.

Trump ka paralajmëruar vazhdimisht Iranin se duhet të veprojë shpejt, duke thënë një ditë më parë se Teherani duhet “të lëvizë, shpjet, ose nuk do të mbetet asgjë prej tyre”.

Megjithatë, presidenti amerikan ka theksuar se ushtria amerikane është gati të veprojë në çdo moment nëse bisedimet dështojnë.

Ai ka përsëritur qëndrimin se çdo marrëveshje finale duhet të parandalojë që Irani të zhvillojë armë bërthamore.

Vendet e Gjirit kanë luajtur rol kyç duke kërkuar kohë për diplomaci, duke shprehur shqetësim për destabilizimin e mëtejshëm të rajonit.