RajoniTop Lajme

Protesta në Tiranë/ Kreu i Veteranëve të UÇK-së, Gucati: Qytetarët e Kosovës të mos marrin pjesë

Shpërndaje

Kreu i Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, Hysni Gucati del kundër përfshirjes së ish-luftëtarëve të UÇK-së në protestat që zhvillohen në Shqipëri, duke theksuar se ato janë çështje të brendshme të shtetit shqiptar. Gucati hodhi poshtë edhe pretendimet në media se kryeministri Edi Rama i ka quajtur “mercenarë” ish-luftëtarët që morën pjesë në protestat në Tiranë.

“Unë Edi Ramën s’e kam dëgjuar që ka thënë mercenarë. Një listë e kam parë, duhet të jem i sinqertë, për portale të ndryshme që e ka bërë publike Taulant Balla. Mercenarë shqiptarë s’ka pasur, një ngatërresë është bërë. Tahir Sinanaj është nga Kukësi, Tahir Sinani është nga Tropoja. Ta bëjmë dallimin, janë dy Tahira, mos t’i ngatërrojmë. Sepse, nëse ke fjalën për Tahir Sinanin, Tahir Sinani s’ka marrë lekë, as s’ka marrë para, është dëshmor i kombit. Është luftëtar i tri luftërave”,-tha Gucati.

Ai përsëriti gjithashtu se flamuri dhe emblema e UÇK-së nuk duhet të përdoren në protesta apo fushata politike, duke kujtuar se për këtë ka bërë edhe kërkesa me shkrim. Sipas Gucatit, qytetarët e Kosovës nuk duhet të marrin pjesë në protesta politike në Shqipëri, ndërsa ndihma ndaj Shqipërisë do të ishte detyrim vetëm në rast të një kërcënimi nga jashtë.