VLEN: Çfarë lidhje ka Grubi me paralajmërimet e Ahmetit për tërheqje nga politika?
VLEN ka reaguar ndaj aktakuzës ndaj Artan Grubit dhe paralajmërimeve të Ali Ahmetit për tërheqje nga politika aktive. Në reagim, partia pretendon se zhvillimet rreth Grubit mund të ndikojnë në përplasjet dhe ndryshimet e ardhshme brenda BDI-së.
“Aktakuza ndaj Artan Grubit i ka ndezur gjakrat në BDI. Frika nga kujtesa e tij po e bën të vetën. Ali Ahmeti paralajmëron tërheqjen nga politika aktive. Gjoja, ai dashka të tërhiqet, por bashkëpartiakët nuk e lënkan. “Përralla me mbret”, siç thotë populli. Prej kohësh themi se Artan Grubi është “kutia e zezë” e BDI-së dhe se nga prania ose mungesa e tij varen shumë hesape dhe zhvillime brenda kësaj partie. Nuk është rastësi që Bujar Osmani, i cili po pret në pozicion startues, hedh në opinion pyetje dhe tema që, drejtpërdrejt ose tërthorazi, çojnë te Grubi. Roli i Islam Abazit është shumë i rëndësishëm për zhvillimet e ardhshme në BDI. Atje po përpiqen dëshpërimisht të krijojnë përshtypjen se e kanë situatën nën kontroll, ndonëse ajo prej kohësh u ka dalë nga duart. Me pak fjalë, nga ajo që Artani mund të ketë kënduar si bilbil do të varet se kush do të bëhet kurban. Për Ali Ahmetin, kohët e vështira sapo kanë filluar. Përpara s’i dilet, prapa s’ka ku shkon!”, thonë nga VLEN.

