MaqedoniTop Lajme

BDI: Përjashtimi dhe diskriminimi vazhdojnë – shqiptarët vetëm 7,51% në sport

Shpërndaje

Shifrat e Ministrisë së Sportit për ndarjen e stipendioneve “Shpresë Sportive” flasin më qartë se çdo deklaratë për barazinë e kësaj Qeverie.

Nga gjithsej 506 sportistë, stipendion marrin:
* 465 maqedonas – 91,90%
* 38 shqiptarë – 7,51%
* 3 boshnjakë – 0,59%

Ky disproporcion i madh kërkon përgjigje politike dhe institucionale.

Nëse kriteret janë të njëjta për të gjithë, Ministria duhet të tregojë qartë si është bërë përzgjedhja, si janë vlerësuar aplikimet dhe mbi çfarë pikësh janë përzgjedhur sportistët.

Nëse shqiptarët përbëjnë një pjesë të rëndësishme të shoqërisë, si shpjegohet që vetëm 7,51% e sportistëve përfitues janë shqiptarë?
Këtu nuk bëhet fjalë për kërkesë për privilegje etnike. Bëhet fjalë për mundësi të barabarta, transparencë dhe njohje të meritës, pavarësisht përkatësisë.

Por ndërsa shifrat kërkojnë shpjegim, VLEN vazhdon të heshtë.

Ata që premtuan barazi dhe përfaqësim të drejtë sot duhet t’u japin përgjigje sportistëve shqiptarë: a është kjo barazia që premtuat?
BDI kërkon publikimin e plotë të kritereve, pikëzimit dhe procesit të përzgjedhjes për stipendionet “Shpresë Sportive”.

Sepse talenti nuk mund të jetë i padukshëm kur është shqiptar.

Përjashtimi vazhdon. Mosnjohja vazhdon. Vlen vazhdon të heshtë!