RajoniTop Lajme

Tubimi me 15 dhe 16 shtator në Hagë, “Liria Ka Emër” thërret bashkatdhetarët: Ejani të gjithë

Shpërndaje

Platforma “Liria ka emër” u ka bërë thirrje bashkatdhetarëve që për dy ditë rresht të jenë sa më shumë të pranishëm në Hagë, me rastin e shpalljes së aktgjykimit ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi e Rexhep Selimi.
Tubimi do të mbahet më 15 dhe 16 shtator.

Në njoftimin e “Liria ka emër” thuhet se gjatë këtyre ditëve kanë qenë në komunikim të vazhdueshëm me autoritetet holandeze për të mundësuar tubimin në Hage.

“Diaspora jonë ka qenë gjithmonë pranë Kosovës. Ajo ka mbështetur rrugëtimin tonë drejt lirisë dhe pavarësisë, në ditët më të vështira dhe në momentet më të rëndësishme të historisë sonë.”, thuhet në njoftim.

“Liria ka emër” ka thënë se vendi sot ndodhet përballë një tjetër momenti vendimtar.

“Do të jemi atje për të mbrojtur të vërtetën e luftës së drejtë të UÇK-së, lirinë tonë, pavarësinë e Kosovës dhe një trashëgimi historike në të cilën diaspora jonë ka një kontribut të jashtëzakonshëm. Prandaj, ju bëjme thirrje të gjithë bashkatdhetarëve: më 15 dhe 16 shtator, ejani në Hagë!”, thuhet tutje.

“Liria ka emër” ka kërkuar që edhe ata që janë në punë, të marrin pushim sipas mundësive, në mënyrë që numri i pjesëmarrësve të jetë sa më i lartë.

“Ata që punojnë, nëse kanë mundësi, le të marrin pushim. Ata që janë më larg, le të organizohen dhe të vijnë. Le të jemi bashkë në këto ditë të rëndësishme për Kosovën. Le t’ua dëshmojmë edhe një herë miqve tanë dhe gjithë botës se diaspora nuk e harron sakrificën, nuk e harron lirinë dhe nuk e harron historinë. Për detajet rreth vendit dhe orarit do t’ju njoftojmë në ditët në vazhdim. Më 15 dhe 16 shtator, Kosova dhe diaspora – bashkë në Hagë!”, thuhet në njoftim.