Në sheshin “Skënderbeu” vendoset ekran i madh për transmetimin e seancës në Hagë
Në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë do të vendoset një ekran i madh, ku qytetarët do të mund ta ndjekin drejtpërdrejt seancën e Gjykatës Speciale në Hagë më 16 shtator, kur pritet të shpallet verdikti përfundimtar ndaj ish-krerëve të UÇK-së.
Këtë e ka bërë të ditur nënkryetarja e Komunës së Prishtinës, Besianë Musmurati, e cila tha se qytetarët janë të ftuar ta ndjekin së bashku seancën.
“Në Prishtinë do ta kemi një ekran shumë të madh në sheshin ‘Skënderbeu’, ku do të shfaqet seanca gjyqësore drejtpërdrejt në shesh. Do t’i ftojmë të gjithë qytetarët që ta shikojmë së bashku seancën dhe shpresoj shumë që pas seancës të festojmë të gjithë së bashku në shesh”, tha Musmurati në emisionin “Ora 7” në Klan Kosova.
Ajo bëri të ditur se Komuna e Prishtinës po përgatitet edhe për organizimin e një feste në rast të një vendimi lirues për ish-krerët e UÇK-së.
“Patjetër do të organizojmë një festë të madhe dhe jemi të gatshëm, edhe po bëjmë përgatitjet e fundit për këtë gjë”, deklaroi Musmurati.

