RajoniTop Lajme

Gjykata Speciale: ZPS kërkon 6 vjet burgim për Thaçin për pengim të drejtësisë

Shpërndaje

Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS) e Gjykatës Speciale për krime lufte në Kosovë, me seli në Hagë, ka kërkuar që ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi të dënohet me 6 vjet burgim, për veprën penale kundër administrimit të drejtësisë, raporton Anadolu.

Gjithashtu, në fjalën përfundimtare në gjykimin për veprën penale kundër administrimit të drejtësisë, ZPS-ja kërkoi sot dënim me 3 vjet burgim edhe për Bashkim Smakajn, Isni Kilajn dhe Fadil Fazliun ndërsa për Hajredin Kuçin dënim me 9 muaj burgim.

“Bazuar në të gjitha provat, faktet, Prokuroria kërkon që të merrni një vendim që përputhet me ligjin, provat dhe faktet. Pra, fajtorë për të gjitha pikat e aktakuzës bazuar në peshën e rëndë të veprave penale dhe tërësinë e faktorëve që merren parasysh në dënimin e zbatueshëm në këtë rast. Prokuroria kërkon që të jepni një vendim siç është kërkuar; për Kuçin 9 muaj burgim, për Fazliun 3 vjet burg, Kilajn 3 vjet burgim, Smakajn 3 vjet burgim dhe Thaçin 6 vjet burgim, që do vuhet në vijim të ndonjë denimi që mund të jepet në çështjen 6 nëse do të jepet”, ka thënë Prokuroria.

Sipas Prokurorisë, akuzat që ZPS-ja ka ngritur dhe akuzat që ajo ka vërtetuar përtej dyshimit të arsyeshëm – janë krime.

“Janë krime për një arsye të qartë; Përpjekja për të ndërhyrë dhe penguar procesin gjyqësor përpara kësaj gjykate që ekziston këtu në Hagë pikërisht për shkak të kaluarës së gjerë të frikësimit dhe ndërhyrjes së dëshmitarëve në Kosovë paraqet një kërcënim për administrimin e drejtë dhe të lirë të drejtësisë”, ka thënë Prokuroria.

Pas kësaj kërkese nga ZPS-ja, mbrojtësja e Hashim Thaçit, avokatja Sophie Menegon kërkoi që ndaj klientit të saj të merret aktgjykim lirues.

Gjatë paraqitjes së argumenteve, avokatja Menegon ka kritikuar provat e paraqitura nga ZPS-ja duke pretenduar se ato mbështeten në interpretime të gabuara të dispozitave të Kodit të Procedurës Penale lidhur me akuzat dhe format e përgjegjësisë.

Një nga argumentet kryesore të mbrojtjes ishte se, pavarësisht pretendimeve të ZPS-së për një plan për ndërhyrje ndaj dëshmitarëve, asnjë ndërhyrje e tillë nuk ka ndodhur.

“Pse nuk ka ndodhur kjo ndërhyrje atëherë?”, ka argumentuar mbrojtja, duke i kërkuar trupit gjykues të vlerësojë nëse narrativa e Prokurorisë qëndron përballë mungesës së një ndërhyrjeje konkrete.

Sipas mbrojtjes, mungesa e veprimeve konkrete mund të çojë në përfundimin se të akuzuarit nuk kanë pasur synim të ndërhyjnë te dëshmitarët.

Mbrojtja ka kundërshtuar gjithashtu kërkesën e ZPS-së për gjashtë vjet burgim ndaj Thaçit, duke e cilësuar atë si “tërësisht të shpërpjesëtuar” me faktet e pretenduara dhe me praktikën e dënimeve për raste të mosbindjes ndaj gjykatës.

Prokuroria akuzon Thaçin se në vitin 2023, gjatë vizitave në Qendrën e Paraburgimit u kishte dhënë Smakajt, Kilajt, Fazliut dhe Kuçit informacion konfidencial për dëshmitarët e thirrur nga Prokuroria në gjyqin për krime lufte ndaj tij dhe ish-krerëve tjerë të UÇK-së që po gjykohen në Hagë, duke i udhëzuar ata se si të ndikonin në dëshmitë e dëshmitarëve.