LVV mbështet “Marshin për Liri”: Ata që votuan Specialen t’i kërkojnë falje Kosovës
Lëvizja Vetëvendosje ka shprehur mbështetje për “Marshin për Liri”, i cili do të mbahet më 12 shtator në Prishtinë, ndërsa ka kritikuar themelimin e Gjykatës Speciale dhe ata që votuan për krijimin e saj.
Në një deklaratë të publikuar të premten, LVV e ka cilësuar themelimin e Gjykatës Speciale nga Kuvendi i Kosovës si “dëmin më të madh” që, sipas saj, i është bërë historisë së luftës çlirimtare dhe themeleve të shtetit të Kosovës.
Sipas LVV-së, Gjykata Speciale ka krijuar një sistem të veçantë gjyqësor me fokus ndaj pjesëtarëve të UÇK-së, ndërsa Serbia dhe institucionet përgjegjëse për krimet e kryera gjatë luftës në Kosovë kanë mbetur jashtë këtij procesi.
Partia ka kritikuar edhe mënyrën e krijimit të gjykatës, duke e lidhur zanafillën e saj me një nismë në Këshillin e Evropës në vitin 2008, e cila çoi në raportin e Dick Martyt.
“Zanafilla e kësaj gjykate ishte politike dhe antishqiptare”, ka deklaruar LVV, duke pretenduar se akuzat për trafikim organesh, të ngritura në debatin fillestar, dëmtuan imazhin e luftës së UÇK-së dhe kontribuuan në krijimin e Gjykatës Speciale.
LVV ka kundërshtuar gjithashtu argumentin e përdorur në atë kohë se Kosova duhej ta miratonte Gjykatën Speciale për të shmangur mundësinë e krijimit të një gjykate nga Këshilli i Sigurimit i OKB-së.
Sipas saj, ndryshimi i Kushtetutës për themelimin e gjykatës është bërë nën trysni dhe ka cenuar sovranitetin e Kosovës.
Lëvizja Vetëvendosje ka kritikuar edhe paraburgimin shumëvjeçar të të akuzuarve në Hagë, duke e cilësuar atë si “dënim para aktgjykimit”, ndërsa ka ngritur shqetësime për largimin e të akuzuarve nga familjet dhe vendi.
Në fund, LVV u ka bërë thirrje personave që votuan për themelimin e Gjykatës Speciale që të distancohen nga vota e tyre dhe të pranojnë, sipas saj, gabimin.
“Ata që e votuan Gjykatën Speciale duhet të distancohen nga vota e tyre, ta pranojnë gabimin dhe t’u kërkojnë falje qytetarëve të Kosovës dhe kombit tonë, luftëtarëve të UÇK-së dhe familjeve të tyre”, ka deklaruar LVV.
Partia ka bërë thirrje për pjesëmarrje në marshin e 12 shtatorit, duke e cilësuar atë si protestë “për lirinë, drejtësinë dhe të vërtetën e luftës sonë çlirimtare”.

