RajoniTop Lajme

BE reagon para vendimit për Thaçin dhe ish-krerët e UÇK-së: Respektoni verdiktin e Speciales, nuk është përfundimtar

Shpërndaje

Bashkimi Europian ka kërkuar nga të gjitha shtetet dhe palët që të respektojnë vendimin e Dhomave të Specializuara ndaj katër ish-krerëve të UÇK-së. Thirrja nga Brukseli vjen para marshit të sotëm në sheshet kryesore të Prishtinës dhe katër ditë para shpalljes së verdiktit në Hagë.

Bashkimi Europian ka kërkuar respektimin e vendimit që do të merret ndaj katër të akuzuarve në Hagë, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi e Rexhep Selimi.

“Në prag të shpalljes së aktgjykimit të shkallës së parë në çështjen e Prokurorit të Specializuar kundër Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit, u bëjmë thirrje të gjitha shteteve dhe palëve që të respektojnë procedurat gjyqësore të Dhomave të Specializuara të Kosovës dhe vendimin”, thuhet në reagim.

BE mbështeti Dhomat e Specializuara të Kosovës (DHSK) si një institucion gjyqësor i pavarur, ndërsa rikujtoi se është themeluar me vendimin e Kuvendit të Kosovës.

“Parlamenti i Kosovës (përmes një amendamenti kushtetues) autorizoi zhvendosjen e procedurave në Hagë, për të ndihmuar në garantimin e procedurave gjyqësore të pavarura, të paanshme dhe të drejta në lidhje me pretendimet për krime të rënda të kryera gjatë dhe pas konfliktit në Kosovë”, thuhet në reagim.

Në fund BE-ja thekson se vendimi i 16 shtatorit nuk është fundi i procesit gjyqësor dhe se ai mund të apelohet nga të dyja palët.

“Ashtu si në të gjitha procedurat e tjera gjyqësore, ndaj aktgjykimeve të shkallës së parë mund të ushtrohet ankesë si nga mbrojtja, ashtu edhe nga prokuroria”, përfundon reagimi.