Konstituohet Legjislatura XI e Kuvendit të Republikës së Kosovës
Nën drejtimin e kryetares Albulena Haxhiu, Kuvendi i Republikës së Kosovës vijoi sot punimet e seancës konstituive të Legjislaturës XI, me zgjedhjen e nënkryetarëve.
Në hapje të seancës kryetarja Haxhiu tha se në seancën e së premtes ka bërë disa herë thirrje që PDK-ja të marrë pjesë në vazhdimin e seancës konstituive dhe të bëjë propozimin për nënkryetar të Kuvendit. Ajo shtoi se sot është hera e tretë që PDK-ja nuk merr pjesë në seancën konstituive për të bërë propozimin sipas Kushtetutës së Republikës së Kosovës.
“Pra, përkundër faktit që PDK-ja ka qenë e njoftuar për vazhdimin e seancës konstituive, nuk është e pranishme, rrjedhimisht edhe nuk po e ushtron të drejtën kushtetuese”, tha kryetarja Haxhiu, duke shtuar se bazuar edhe në aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese, Kuvendi nuk mund të mbetet peng i asnjë subjekti politik, andaj seanca do të vijojë me propozimin nga LDK-ja.
Pas procedurës së votimit u konstatua se me 75 vota për, një kundër dhe katër abstenime, deputeti Kujtim Shala u zgjodh nënkryetar i Kuvendit.
Seanca vijoi me propozimet për nënkryetar nga radhët e komunitetit serb.
Tetë kandidatë të propozuar nga Lista Serbe për nënkryetar nuk morën mbështetjen e Kuvendit. Kështu, deputetët Slavko Simiq, Igor Simiq, Ljiljana Stefanoviq, Srdjan Popoviq, Branislav Nikoliq, Jovana Radosavljeviq, Milan Joksimoviq dhe Zlatan Elek nuk morën votat e mjaftueshme për pozitën e nënkryetarit të Kuvendit të Republikës së Kosovës.
Në propozimin e nëntë, Kuvendi me 62 vota për, gjashtë vota kundër dhe tri abstenime, zgjodhi për nënkryetar nga radhët e komunitetit serb, deputeten Tanja Vujoviq.
Besimin e deputetëve për nënkryetare të Kuvendit nga radhët e komuniteteve joserbe joshumicë e mori deputetja Emilia Rexhepi. Ajo mori 70 vota për, asnjë kundër dhe shtatë abstenime.
Pas zgjedhjes së nënkryetares Rexhepi, kryetarja Haxhiu konstatoi se Kuvendi konsiderohet i konstituuar.
“Me këtë rast konstatoj se Kuvendi i Republikës së Kosovës konsiderohet i konstituuar”, theksoi kryetarja Haxhiu.
Pozita e nënkryetarit të Kuvendit nga radhët e PDK-së mbetet e paplotësuar.
Kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, gjithashtu njoftoi subjektet politike lidhur me formimin e grupeve parlamentare, duke rikujtuar se njoftimi për formimin e grupit parlamentar duhet t’i dorëzohet kryetarit të Kuvendit jo më vonë se shtatë ditë nga dita e seancës konstituive.
Me këtë njoftim ajo përmbylli punimet e seancës konstituive të Legjislaturës XI të Kuvendit të Republikës së Kosovës.

