I jepet lamtumira e fundit ish-futbollistit të Shkëndijës, Agron Memedi
Me pjesëmarrjen e një numri të madh familjarësh, bashkëfshatarve, miqve, kolegëve dhe bashkëpunëtorëve, sot në varrezat e fshatit Përshefcë iu dha lamtumira e fundit ish-futbollistit dhe trajnerit të KF Shkëndija, Agron Memedit, i cili ishte edhe ish-pjesëtar i Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare (UÇK), shkruan tetova1. Në ceremoninë e varrimit ishin të pranishëm edhe përfaqësues të kryesisë së KF Shkëndija, futbollistë të klubit, si dhe tifozë nga grupi i tifozëve „Ballistët“, të cilët erdhën për t’i dhënë lamtumirën e fundit dhe për të nderuar figurën e tij.
Vdekja e tij, e cila u bë e ditur një ditë më parë, ka prekur thellë familjen, komunitetin sportiv, simpatizuesit e Shkëndijës dhe opinionin e gjerë. Memedi u nda nga jeta në moshën 45-vjeçare, duke lënë pas kujtime të shumta nga karriera e tij sportive dhe kontributi i tij.
Agron Memedi lindi më 5 dhjetor 1980 në Tetovë. Si futbollist luajti kryesisht në pozitën e mbrojtësit të majtë, ndërsa karrierën e ndërtoi në disa klube të Maqedonisë së Veriut. Pas fillimeve te Shkëndija, ai kaloi te Renova, ku qëndroi për një periudhë më të gjatë dhe fitoi titullin e kampionit në sezonin 2009/2010, si dhe Kupën e Maqedonisë në sezonin 2010/2011.
Gjatë karrierës së tij ishte pjesë edhe e Metalurgut të Shkupit, ndërsa përfaqësoi Maqedoninë e Veriut në një ndeshje miqësore. Karrierën si futbollist e përfundoi në janar të vitit 2018.
Pas largimit nga futbolli aktiv, Memedi vazhdoi rrugëtimin në rolin e trajnerit. Në pranverën e vitit 2018 drejtoi për një periudhë të shkurtër Renovën, për t’u angazhuar më pas në akademinë e Shkëndijës.
Që nga gushti i vitit 2026 ishte pjesë e stafit teknik të ekipit të parë të Shkëndijës, në cilësinë e ndihmëstrajnerit të Artim Pollozhanit.
Agron Memedi do të kujtohet si ish-futbollist, trajner dhe ish-pjesëtar i Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare. Lamtumira e sotme dëshmoi respektin dhe vlerësimin që gëzonte mes familjarëve, miqve, bashkëpunëtorëve dhe komunitetit të Shkëndijës.

Shuhet papritur Agron Memedi, ish-reprezentuesi i Maqedonisë dhe trajneri i Shkëndijës
Shuhet papritur Agron Memedi, ish-reprezentuesi i Maqedonisë dhe trajneri i Shkëndijës
Një lajm i trishtë ka tronditur futbollin. Në moshën 46-vjeçare është ndarë nga jeta papritur ish-reprezentuesi i Maqedonisë, aktualisht trajner i Shkëndijës së Tetovës, Agron Memedi.
Sipas informacioneve të para, ngjarja tragjike ka ndodhur gjatë stërvitjes së sotme të Shkëndijës, kur Memedi ka pësuar kolaps të papritur. Menjëherë janë bërë përpjekje për t’i dhënë ndihmë, por, për fat të keq, ai ka ndërruar jetë rrugës për në spitalin e Tetovës.
Memedi lë pas një karrierë të pasur futbollistike, gjatë së cilës ka luajtur për disa klube vendore.
Pjesën më të madhe të sukseseve të tij si lojtar i arriti në fanellën e Renovës, me të cilën fitoi titullin kampion në kampionatin e Maqedonisë. Gjatë karrierës ka qenë edhe anëtar i Metalurgut të Shkupit.
Paraqitjet e tij në skenën vendase të futbollit i sollën edhe ftesë në kombëtaren A të Maqedonisë, për të cilën në vitin 2010 regjistroi një paraqitje.
Pas përfundimit të karrierës si lojtar, Memedi mbeti i përkushtuar ndaj futbollit, duke vazhduar angazhimin e tij profesional si pjesë e shtabit teknik të Shkëndijës. Përvojën dhe njohuritë e tij i transmetonte në klub, duke mbetur i përfshirë në mënyrë aktive në rrjedhat e futbollit.


