MaqedoniTop Lajme

Mickoski në Samitin “Konkordia” në Nju Jork: Maqedonia mbetet në rrugën evropiane, ne mbrojmë identitetin dhe interesat tona shtetërore

Shpërndaje

Kryeministri Hristijan Mickoski të hënën mbajti fjalim para samitit prestigjioz „Konkordia “ në Nju Jork, i cili zhvillohet paralelisht me Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara.

Në një panel diskutim me zëvendëskryeministren e Gjeorgjisë, Maka Botçoriçvili, Kryeministri Mickoski u fokusua te pengesat në procesin e integrimit evropian dhe përpjekjet e vendeve anëtare të BE-së për ta shfrytëzuar këtë proces për ndryshimin e identitetit maqedonas. Sipas Kryeministrit, nga Brukseli dëgjohen edhe mesazhe pozitive.

“Ne e filluam rrugëtimin tonë para pothuajse dy dekadash e gjysmë. Dhe, për fat të keq, për shkak të disa arsyeve artificiale, nuk arritëm të bëheshim pjesë e BE-së. Ndoshta një ditë do ta arrijmë këtë pikë të rëndësishme. Ndërkohë, frustrimi te qytetarët maqedonas është i madh, sepse në të kaluarën kemi bërë shumë lëshime: e kemi ndryshuar flamurin, Kushtetutën e kemi ndryshuar disa herë, madje kemi ndryshuar edhe emrin kushtetues, dhe e gjithë kjo na duket si një tregim pa fund. Por, sidoqoftë, ne besojmë në vlerat evropiane dhe do të vazhdojmë në këtë drejtim, për të gjetur më në fund një zgjidhje për këtë situatë të bllokuar në të cilën ndodhemi tani. Është e qartë se duhet të presim, por jo vetëm që presim, por edhe po bëjmë diçka”, tha Mickoski dhe shtoi:

“Po ndërtohemi dhe po zhvillohemi. Për ne, për gjeneratën time, bisedimet me BE-në ishin një lloj mënyre për të ndryshuar institucionet-jo për të ndryshuar identitetin. Për fat të keq, ka disa vende anëtare që përpiqen të zgjidhin disa çështje dypalëshe dhe jo të ndryshojnë institucionet tona, por të ndryshojnë identitetin tonë. Dhe ne jemi viktimë e një lloj presioni: ose jeni brenda, ose jeni jashtë, ndërsa nëse dëshironi të jeni brenda, duhet ta pranoni atë që kërkohet nga ju. Por, kjo është mundësia dhe nuk ka një mundësi më të mirë për vendin tim. Dhe, meqë nuk ka një mundësi më të mirë, jemi të gatshëm të ecim përpara dhe të gjejmë një rrugëdalje nga kjo situatë.”

Në pyetjen nëse ka edhe mesazhe pozitive nga Brukseli, Kryeministri Mickoski theksoi se mesazhet nga samiti i BE-së dhe vendeve të Ballkanit Perëndimor në Tivat ishin jashtëzakonisht pozitive.

“Pati një prezantim të përbashkët nga Franca dhe Gjermania të një dokumenti joformal. Nga Brukseli dëgjojmë se ndoshta, në konkluzat e ardhshme të Këshillit, ky dokument mund të bëhet pjesë e politikës zyrtare të BE-së. Do të shohim. Ndërkohë, ne e kemi harmonizuar plotësisht politikën tonë të përbashkët të jashtme dhe të sigurisë me BE-në. Legjislacioni ynë është pak a shumë i harmonizuar me atë të BE-së. Ne jo vetëm që presim, por po punojmë për zhvillimin tonë, po i bëjmë detyrat tona, nuk po e humbim kohën, përkundrazi-ky është gurthemeli ynë strategjik dhe do të vazhdojmë të ecim përpara në këtë rrugë”, deklaroi Kryeministri Mickoski.

Përveç marrëdhënieve me Bashkimin Evropian, Kryeministri Mickoski u ndal edhe te partneriteti strategjik me SHBA-të dhe deklaroi se dëshiron që vendi ynë të jetë shembull i pranisë amerikane në rajon dhe në Evropë. Fjalimi i Kryeministrit Mickoski pasoi takimet e tij me sekretarin amerikan të SHBA-ve, Marko Rubio, dhe përfaqësuesve të lartë të Departamentit të Shtetit.

“Në fillim të vitit patëm seancë të dialogut strategjik mes dy vendeve dhe nënshkruam shumë marrëveshje, si dhe shumë memorandume mirëkuptimi. E rritëm nivelin e bashkëpunimit në industrinë ushtarake, në sektorin e energjetikës, si dhe në nxjerrjen e një minerali kritik – antimonit – me ndihmën e agjencisë amerikane DFC. Mendoj se marrëdhëniet ndërmjet dy vendeve po thellohen gjithnjë e më shumë me kalimin e kohës. Duke pasur parasysh memorien institucionale, në Kombet e Bashkuara votojmë krah për krah me aleatët tanë, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ndaj do të dëshironim të behemi – dhe ambicia jonë është të bëhemi – shembull për Shtetet e Bashkuara të Amerikës. E përshëndesim praninë amerikane në rajon. Le të jetë vendi im shembull për rajonin dhe Evropën në emër të Shteteve të Bashkuara të Amerikës”, deklaroi Mickoski.

Në kontekst të bashkëpunimit me SHBA-të dhe NATO-n, Kryeministri Mickoski prezantoi edhe projektet strategjike infrastrukturore në të cilat po punon Maqedonia.

“Në fillim të vitit e rikthyem në funksion naftësjellësin që lidh portin e Selanikut me rafinerinë tonë të naftës, kështu që tani i përmbushim nevojat tona, por edhe eksportojmë në rajon. Çmimet tona për naftën dhe karburantet pa plumb janë mjaft konkurruese, 50 eurocentë për litër më të lira se në vendet fqinje, dhe tani praktikisht kemi presion nga vendet fqinje mbi pikat tona të karburantit. Vëllimi i konsumit tonë të karburanteve është rritur për 50% që nga fillimi i krizës në Iran. Siguria e furnizimit nuk është më problem, edhe pse jetojmë në kohë sfiduese. Po ndërtojmë një gazsjellës që lidh portin e Aleksandropolit me Evropën Qendrore, me çrast praktikisht do të bëheshim një vend tranzit për gazin. Meqenëse ky gazsjellës është i pavlefshëm nëse nuk e lidhim me interkonektorin në veri, drejt Serbisë, kemi nisur ndërtimin e gazsjellësit drejt Serbisë, përmes të cilit do të lidhim portin e LNG-së në Aleksandropoli me Evropën Qendrore. E filluam këtë projekt para disa javësh dhe presim që interkonektori i gazit drejt jugut të fillojë të funksionojë më së voni deri në fund të tremujorit të katërt të vitit 2027, ndërsa interkonektori verior do të fillojë të funksionojë në fund të vitit 2028. Kjo do ta përmirësojë pozitën tonë strategjike dhe do të jetë shumë e rëndësishme për të ardhmen e qytetarëve të vendit tim. Ky gazsjellës është pjesë e Korridorit 10, ndërsa duke pasur parasysh pozitën tonë strategjike gjeografike në zemër të Ballkanit, do të doja të përmendja edhe Korridorin 8. Të dy korridoret praktikisht kryqëzohen disa kilometra në verilindje të kryeqytetit tonë. Të dy interkonektorët janë shumë të rëndësishëm. Korridori 10 lidh Detin Egje dhe Detin Mesdhe me vendet e Evropës Qendrore, ndërsa Korridori 8 lidh Detin Jon dhe Detin Adriatik me vendet e Detit të Zi. Praktikisht, të dy korridoret janë shumë të rëndësishëm për krahun lindor të NATO-s. Ne jemi anëtare krenare e NATO-s. Nuk kemi dalje në det, që është një lloj disavantazhi, por me këta dy korridore jemi kryqëzim i këtyre dy drejtimeve natyrore, gjë që, sipas meje, na bën një anëtare shumë të rëndësishme të NATO-s. Kompanitë maqedonase dhe greke janë të ndërlidhura me njëra-tjetrën dhe në vitet që vijnë ambicia jonë është ta thellojmë këtë lidhje”, deklaroi Kryeministri.

Në fjalimin e tij në samitin “Konkordia” në Nju Jork, ku morën pjesë një sërë liderësh dhe sipërmarrësish amerikanë dhe botërorë, kryeministri Mickoski foli edhe për rezultatet pozitive ekonomike të arritura, pavarësisht një sërë krizash në Evropë dhe në Lindjen e Mesme.

“Ekonomikisht, mendoj se jemi në gjendje të mirë. Të dhënat e fundit për tremujorin e dytë të vitit 2026 tregojnë se rritja jo në reale ishte 4.3 për qind – nominalisht mbi 8 për qind, gjë që na rendit ndër tri vendet e para në Evropë për sa i përket rritjes vjetore. Që nga zgjedhja jonë në qershor të vitit 2024, prioriteti ynë kryesor ishte t’i rigjallëronim institucionet dhe, praktikisht, të siguronim stabilizim makroekonomik dhe fiskal. Sa i përket inflacionit, edhe të dhënat më të fundit janë mjaft bindëse. Në gusht, inflacioni vjetor ishte më i ulët se mesatarja evropiane. Praktikisht, po e mbajmë inflacionin ndërmjet 2 dhe 2,5 për qind, gjë që na bën vendin më të mirë në rajon dhe ndër më të mirët në Evropë. Natyrisht, kemi sfida me furnizimin me derivate të naftës, por portofoli ynë është mirë”, deklaroi Mickoski, i cili vlerësoi se jeta është përmirësuar gjatë tre viteve të fundit sa është në pushtet dhe se do të përmirësohet edhe në vitet e ardhshme.