Kushtetuesja vendos: Kuvendi u konstituua me vonesë, Qeveria e ligjshme, afati i fundit për Presidentin 6 tetori
Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka konstatuar se Kuvendi i Kosovës është konstituuar pas afatit 30 ditorë.
Ky kalim i afatit, Kushtetuesja thotë se ka për rrjedhojë nisjen e rrjedhjes së afateve për zgjedhjen e Presidentit.
Në vendim, thuhet Kuvendi duhet sa më parë të zgjedh nënkryetarin nga radhët e PDK’së.
Zgjedhjen e Qeverisë e ka konsideruar të rregullt dhe jo në kundërshtim me Kushtetutën.
Në fund, Kushtetuesja thotë se afati 60 ditor për zgjedhjen e Presidentit ka rrjedhur që nga data 8 gusht kur është dashur të konstituohet Kuvendi.
Ky afat për zgjedhjen e presidentit përfundon më 6 tetor.
Njoftimi i plotë:
Njoftim për vendim në rastet KO256/26 dhe KO258/26
Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës, më 23 shtator 2026, vendosi lidhur me kërkesat e bashkuara KO256/26 dhe KO258/26, në lidhje me vlerësimin e kushtetutshmërisë së “Vendimit nr. 11-V-002, të 9 shtatorit 2026, për zgjedhjen e Kryetares së Kuvendit; Vendimit procedural të 11 shtatorit 2026 për mënyrën e votimit të nënkryetarëve; dhe konstatimit të 13 shtatorit 2026 për konstituimin e legjislaturës XI të Kuvendit”, si dhe “Vendimit Nr. 11-V-007, të 13 shtatorit 2026, për zgjedhjen e Qeverisë së Republikës së Kosovës”, të parashtruar nga: KO256/26, Arian Tahiri dhe nëntë (9) deputetë të tjerë të Kuvendit të Republikës së Kosovës; dhe KO258/26, Arian Tahiri dhe dhjetë (10) deputetë të tjerë të Kuvendit të Republikës së Kosovës, bazuar në paragrafin 5 të nenit 113 [Jurisdiksioni dhe Palët e Autorizuara] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës.
Gjykata, njëzëri, vendosi:
I. TË DEKLAROJË kërkesën të pranueshme;
II. TË KONSTATOJË që Kuvendi i Republikës së Kosovës është konstituuar pas kalimit të afatit tridhjetë (30) ditor, të përcaktuar në paragrafin 1 të nenit 66 [Zgjedhja dhe Mandati] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës;
III. TË KONSTATOJË që kalimi i afatit tridhjetë (30) ditor për konstituimin e Kuvendit të Republikës së Kosovës, të përcaktuar në paragrafin 1 të nenit 66 [Zgjedhja dhe Mandati] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, ka për pasojë fillimin e rrjedhjes së afateve kushtetuese për zgjedhjen e Presidentit të Republikës së Kosovës, kur posti i Presidentit është vakant dhe për zgjedhjen e Qeverisë së Republikës së Kosovës sipas neneve 86 [Zgjedhja e Presidentit], 95 [Zgjedhja e Qeverisë] dhe nënparagrafëve 1 dhe 3, paragrafit 1 të nenit 82 [Shpërndarja e Kuvendit] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës;
IV. TË KONSTATOJË që deputetët e Kuvendit të Republikës së Kosovës duhet që sa më parë të zgjedhin Nënkryetarin e Kuvendit të Republikës së Kosovës nga radhët e grupit të dytë më të madh parlamentar, në pajtim me paragrafin 3 të nenit 67 [Zgjedhja e Kryetarit dhe Nënkryetarëve] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës;
V. TË KONSTATOJË që Vendimi [Nr. 11-V-007] i 13 shtatorit 2026 i Kuvendit të Republikës së Kosovës për zgjedhjen e Qeverisë së Republikës së Kosovës nuk është në kundërshtim me nenin 95 [Zgjedhja e Qeverisë] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës;
VI. TË KONSTATOJË që afati gjashtëdhjetë (60) ditor për zgjedhjen e Presidentit të Republikës së Kosovës, sipas nënparagrafit 3, paragrafit 1 të nenit 82 [Shpërndarja e Kuvendit] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës ka filluar më 8 gusht 2026 dhe përfundon më 6 tetor 2026;
VII. TË REFUZOJË kërkesën për masë të përkohshme;
VIII. T’UA KUMTOJË këtë Aktgjykim palëve;
IX. TË PUBLIKOJË këtë Aktgjykim në Gazetën Zyrtare të Republikës së Kosovës, në pajtim me paragrafin 4 të nenit 20 (Vendimet) të Ligjit nr. 03/L-121 për Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Kosovës;
X. TË KONSTATOJË që ky Aktgjykim hyn në fuqi në ditën e publikimit të tij nga Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës.
Për më shumë informata, ju lutemi vizitoni uebfaqen zyrtare të Gjykatës Kushtetuese: https://gjk-ks.org/


