RajoniTop Lajme

Kurti viziton familjet e të zhdukurve nga “Grupi i Intelektualëve”

Shpërndaje

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka vizituar sot familjet e dy veprimtarëve, Salih Mëziu dhe Idriz Rrecaj, pjesëtarë të njohur si “Grupi i Intelektualëve”, të cilët ishin rrëmbyer dhe zhdukur me dhunë nga forcat serbe gjatë luftës në Kosovë.

Vizitat janë zhvilluar në Marinë dhe Llaushë të Skenderajt, pak ditë pasi mbetjet mortore të dy veprimtarëve, të gjetura në varrezën masive në Zubin Potok, janë identifikuar përmes analizave të ADN-së.

Përmes një postimi në Facebook, Kurti ka theksuar se familjarët, pas më shumë se 27 vjetësh pritjeje dhe pasigurie, më në fund kanë marrë përgjigje për fatin e më të dashurve të tyre, por ende presin drejtësi.

Postimi:

Sot në Marinë dhe në Llaushë të Skenderajt vizituam familjet e veprimtarëve Salih Mëziu dhe Idriz Rrecaj, pjesë e “Grupit të Intelektualëve” të rrëmbyer dhe të zhdukur me dhunë nga forcat e armatosuara të Serbisë në prill të vitit 1999, mbetjet mortore të të cilëve u gjetën në varrezën masive në Zubin Potok dhe të cilët u identifikuan javë më parë nëpërmjet ADN-së. Këto dy familje, sikur ajo e Adem Beqirit i cili u varros më 3 tetor, kanë marrë përgjigje por kanë nevojë për drejtësi.
Për më të dashurit e më shumë se 1500 personave tjerë ende të zhdukur nga lufta e fundit, dhimbja është tejet e madhe, ndërsa pritja përplot ankth. Trysnia ndërkombëtare mbi Serbinë që mbron e glorifikon kriminelët, fsheh e mohon krimet, sikurse mbyll e klasifikon dosjet, teksa vazhdon me mendësinë e viteve të ’90-ta, përveçse e domosdoshme, është e vetmja mënyrë për zbardhjen e fatit të të zhdukurve me dhunë dhe për t’i dhënë shans drejtësisë.