MaqedoniTop Lajme

Universiteti i Tetovës u përfaqësua në Festivalin XXIV Ndërkombëtar të Imazhit Shqiptar në Botë

Shpërndaje

Profesorët e Universitetit të Tetovës Prof. Dr. Ibish Kadriu dhe Prof. Dr. Qani Nesimi, morën pjesë në Festivalin XXIV Ndërkombëtar të Imazhit Shqiptar në Botë, i cili u organizua më 22 nëntor 2026, në Zvicër me rastin e Ditës së Alfabetit të Gjuhës Shqipe.

Ky manifestim kulturor dhe shkencor, i cili i kushtohet lartësimit të vlerave, historisë dhe kontributit të kombit shqiptar në arenën ndërkombëtare, në programin e tij përfshinte promovimin e një vepre shkencore, shfaqjen e një dokumentari mbi imazhin e shqiptarëve në botë dhe luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, si dhe ndarjen e çmimeve për dhjetë personalitete të shquara me titullin “Ambasadorë të Imazhit Shqiptar në Botë për vitin 2026”.

Në kuadër të këtij manifestimi, Prof. Dr. Ibish Kadriu, në emër të udhëheqësisë së Universitetit të Tetovës, u përcolli të pranishmëve përshëndetjet dhe urimet e Rektorit, Prof. Dr. Kushtrim Ahmeti. Në fjalimin e tij, ai foli për rëndësinë historike të festave të nëntorit, me theks të veçantë Kongresin e Manastirit dhe shpalljen e Pavarësisë së Shqipërisë. “Muaji nëntor zë vend të rëndësishëm për shqiptarët në çdo vit kalendarik, sepse brenda këtij muaji kanë ndodhur disa nga ngjarjet më të rëndësishme në historinë tonë, dy nga të cilat kanë ndodhur gjatë periudhës së fundit të Rilindjes Kombëtare, Kongresi i Alfabetit në Manastir më 22 Nëntor 1908 dhe Kuvendi i Pavarësisë në Vlorë më 28 Nëntor 1912.” – theksoi Prof. Dr. Ibish Kadriu.

Me këtë rast, ai paraqiti edhe një vështrim mbi veprën e Prof. Dr. Astrit Memisë, duke u ndalur në rëndësinë e historisë, gjuhës, arsimit dhe kulturës në ruajtjen dhe forcimin e identitetit kombëtar. “Historia e një kombi është shumë më tepër sesa një përmbledhje ngjarjesh të vendosura në rend kronologjik. Ajo përfaqëson kujtesën kolektive të një populli, trashëgiminë shpirtërore që përcillet ndër breza dhe bazën mbi të cilën ndërtohet identiteti, vetëdija dhe vizioni për të ardhmen.” – u shpreh Prof. Dr. Ibish Kadriu.

Në kuadër të këtij manifestimi, Prof. Dr. Ibish Kadriu u nderua me certifikatë mirënjohjeje nga organizatorët e Festivalit të XXIV Ndërkombëtar “Imazhi Shqiptar”, për bashkëpunimin dhe mbështetjen e dhënë në organizimin e këtij festivali. Mirënjohja është vlerësim për kontributin e tij në mbështetjen e veprimtarive që promovojnë kulturën dhe identitetin kombëtar shqiptar në diasporë.