Maqedoni

Data për negociata nxitje për reforma

Shpërndaje

Maqedonia ta shfrytëzoj marrjen e rekomandimit të kushtëzuar si inkurajim dhe nxitje për zbatimin e mëtejshëm të reformave, porosisin eurodeputetët Ivo Vajgël dhe Edvard Kukan, ndërsa porosi të ngjashme dje dërgoi dhe ambasadori francez, Kristian Timonie.

Edhe eurokomisari për zgjerim Johanes Han e shprehi nevojën për vazhdimin e reformave, veçanërisht në pjesën e sundimit të ligjit dhe lirisë së mediave.

Komisioni Evropian, megjithatë, njoftoi se paralelisht me përgatitjet për fillimin e negociatave, do të vazhdojë të mbështes rezultate të qëndrueshme, veçanërisht në sferën e gjyqësisë, luftës kundër korrupsionit dhe administratës publike.

“Maqedonia duhet ta kuptojë këtë si inkurajim, ndoshta kanë pritur më gjatë, por duke pasur parasysh kushtet dhe situatën në BE mendoj se ky është vendim pozitiv, flet në mënyrë konkrete për qershorin e ardhshëm dhe është nxitje që të vazhdohet me reformat. Është pozitive që reformat do të monitorohen nga Komisioni”, theksoi Kukan për MIA-n.

Sipas Vajgël, Maqedonia mori garanci për hyrje në procesin e afrimit në BE dhe duhet të shfrytëzohet koha e cila do të kalojë deri në fillimin formal të negociatave në vitin 2019 për punë intensive ndaj reformave ekonomike dhe shoqërore.

“Bëhet fjalë për një tekst të baraspeshuar, i cili i reflekton përpjekjet që u bënë nga ana e këtij vendi dhe përpjekjet të cilat mbeten për t’u bërë. Me një fjalë të them ‘përpara, vetëm shkoni përpara’”, ishte vlerësimi për rekomandimin e kushtëzuar, të cilin e parashtroi ambasadori francez Timonie para promovimit të librit “Evropa, shtëpia jonë e përbashkët”

Gjatë fjalimit të tij në seminarin ROS-ROT, i cili u mbajt në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë, kryeministri Zoran Zaev dje përmendi se vendimi për fillimin e negociatave me BE-në është motivues dhe e stimulon vendin për të vazhduar më tej. Maqedonia, përveç për zgjidhjen e çështjes së emrit do të punojë, tha Zaev, edhe në zbatimin e reformave të cilat i kërkon BE-ja dhe NATO-ja për të cilat ekziston dhe konsensus shoqëror.

“Vendimi i Këshillit për punë të përgjithshme të BE-së në Luksemburg është udhërrëfyes i qartë për të ardhmen e Maqedonisë, na stimulon për të vazhduar me tej”, potencon kryeministri.

Komisioni Evropian ka informuar opinionin se pas konkludimeve të ministrave të punëve të jashtme të BE-së për fillimin e kushtëzuar të negociatave me Maqedoninë dhe Shqipërinë, do të fillojnë përgatitjet rreth negociatave.

“KE-ja tani fillon punën e përgatitjeve, siç qëndron në konkluzionet e Këshillit, dhe do të vazhdojë të mbështesë rezultate të qëndrueshme, veçanërisht në sferën e gjyqësisë, luftës kundër korrupsionit dhe administratës publike, të cilat kanë ndikim të madh në jetën e përditshme të qytetarëve”, tha zëdhënësi i Komisionit Evropian, Margaritis Shinas.

Sipas vendimit të pardjeshëm të Këshillit të BE-së, me plotësimin e kushteve të vendosura Maqedonia dhe Shqipëria do të mund të fillojnë negociatat për anëtarësim në qershor të vitit 2019.