Anija ‘Vlora’ me 20 mijë shqiptarë drejt Italisë, 27 vite nga eksodi i vitit 1991 (Video)
8 gushti i 1991 njihet ndryshe si eksodi i shqiptarëve, të cilët ‘të ngarkuar’ mbi një anije mallrash lundruan drejt tokës së ëndërruar, Italisë. Anija ‘Vlora’ mbërriti në portin e Barit, ndërsa sipër mbante mbi 20 mijë shqiptarë, të etur për liri.
Teksa sot shënon edhe 27 vjetori nga data e eksodit të madh, më poshtë po ju sjellim një histori mbi atë çka ndodhi atë ditë vere.
Ndonëse emigrantët shqiptarë udhëtuan për një të ardhme më të mirë, ata u mbyllën fillimisht në stadiumin e vjetër ‘Della Vittoria’, ndërsa më pas u riatdhesuan për në Shqipëri.
Por, pavarësisht këtij fakti jo të gjithë shqiptarët u kthyen në Shqipëri. Emigrantëve ushqimi u dërgohej me helikopter, ndërsa nuk mungonin rastet kur shqiptarët përlesheshin me policinë, pasi tentonin të dilnin prej aty.
Brenda dy javësh, shqiptarët u dërguan përsëri në Shqipëri me anije dhe aeroplanë. Sipas shifrave të asaj kohe, në vendin tonë u riatdhesuan 17 mijë e 400, ndërsa në Itali mbetën 1500 vetë që kishin paraqitur kërkese për strehim politik.
Anija e tejmbushur, ku njerëzit vareshin ku të mundeshin, deri tek shtiza e flamurit, kjo ishte tabloja që kujtohet edhe sot.
Imazhet përmes fotove dhe videove nga anija e stërmbushur me shqiptarë në drejtim të Barit, sillet shpesh herë në vëmendje, ndërsa më poshtë ju sjellim disa prej tyre.