Korrigjim apo shkëmbim, kështu do të duket harta e Kosovës me ndryshim të kufijve
Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, dhe ai i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, janë të një pajtimi që kufijtë mes Kosovës dhe Serbisë duhet të ndryshojnë.
I pari i vendit deklaroi se duhet të përmirësohen gabimet historike që janë bërë në kurriz të shqiptareve, e ky gabim do të korrigjohet atëherë kur Kosovës t’i bashkohet pjesa lindore e saj.
“Kam kërkuar dhe vazhdojë të kërkojë unitetin e partive politike parlamentare, jo për vete sepse kurrë nuk iu kam ikur përgjegjësive të mija. Unë kërkojë një gjë të tillë për të mbrojtur interesin shtetëror dhe për të legjitimuar kërkesat politike dhe historike të shqiptarëve të Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit për t’iu bashkuar Kosovës”, ka deklaruar presidenti Thaçi gjatë një konference për media.
E po të ndodhë kjo që e thotë i pari i vendit, hapësira me 1,249 km katror e tri komunave tash pjesë e Serbisë Jugore, Preshevës, Bujanovcit dhe Medvegjës, do të ndryshojë hapësira gjeografike e Kosovës duke shtuar territor për rreth 10% të asaj që aktualisht ka Kosova, përcjell Telegrafi.
Por, ky korrigjim, nuk po i pëlqen as ish-kryeministrit të Shqipërisë, Sali Berisha.
Ai, në një intervistë për RTV Dukagjinin, ka thënë se kufijtë e Kosovës po vihen në “tepsi”.
“Sot janë vënë në ‘tepsi’ kufijtë e Kosovës, në një kohë kur Kosova ishte në pushtimin serb dhe u miratua në shtator të vitit 1992 dokumenti i samitit të OSBE-së. Kosova u nxor zë i veçantë në dokumentin e samitit, ku shkruhej se problemi do të zgjidhet nëpërmjet dialogut Prishtinë- Beograd me ndërmjetësimin e palës e tretë”, kishte deklaruar Berisha.
Por, presidenti Thaçi, krejt këto ndryshime dëshiron ti bëjë duke mos i dhënë asgjë Serbisë.
E ndryshe e thotë homologu i tij serb, Aleksandar Vuçiq, ku e ka bërë të qartë se dëshiron t’i marrë katër komuna me shumicë serbe në veri të Kosovës, por nuk ka thënë asgjë se çka do të japë si këmbim.
Por, një shkëmbim i mundshëm i territoreve mes dyja vendeve, do t’i jepte këtë dukje, hartës së Kosovës, që tash është pjesë edhe e flamurit shtetëror.
Duke u shkëputur Leposaviqi, Zubin Potoku, Zveçani, Kosova do të kishte më pak 992 km më pak, pa llogaritur këtu, edhe Mitrovicën Veriore.
Për kryeministrin e Kosovës, Ramush Haradinaj, ndryshimi i kufijve mund të bëhet vetëm me luftë. Kundër ndarjes ka dalë edhe krye parlamentari, Kadri Veseli, por ai nuk ka folur nëse pajtohet me idenë e Thaçit për bashkimin e Luginës me Kosovën./RTV Dukagjini/