Rajoni

Samiti i Berlinit nuk i ka bashkuar qëndrimet e Thaçit dhe të Haradinajt

Shpërndaje

Presidenti Hashim Thaçi dhe kryeministri Ramush Haradinaj nuk janë ulur ende për ta ndërtuar një qëndrim të përbashkët institucional rreth dialogut me Serbinë, me të cilin do të prezantoheshin në samitin që organizohet pas dy ditësh në Berlin.Shoqëria civile iu ka bërë apel të dyve që t’i lënë teket mënjanë dhe të ulen për ta dakorduar pozicionin shtetëror para këtij takimi, shkruan sot Koha Ditore.Presidenti Thaçi nuk u është përgjigjur thirrjeve, e kryeministri Haradinaj ka theksuar se qëndrimi që ai përfaqëson është edhe pozicion i shtetit të Kosovës për dialogun me Serbinë.

“Mendoj që qëndrimin që e ka mbajtur Qeveria e Kosovës në vazhdimësi është qëndrim i Kosovës”, ka thënë kryeministri Haradinaj, pas mbledhjes së Qeverisë. “Kam shpresë se nuk do të kemi shpërputhje me presidentin. Shpresoj që nuk do të kemi shpërputhje, por nuk ka ndonjë ndryshim në qëndrimin që qeveria e vendit e ka mbajtur në vazhdimësi”.Dialogu i Kosovës me Serbinë do të jetë temë qendrore e samitit, që për nikoqir e ka kancelaren gjermane Angela Merkel dhe presidentin francez Emmanuel Macron. Ai zhvillohet në kohën kur ndodhet në ngërç faza finale e dialogut mes këtyre dy shteteve. Serbia ka vendosur të mos marrë pjesë në të, për aq kohë sa Qeveria e Kosovës nuk e heq tarifën prej 100 për qind, të vendosur ndaj produkteve me origjinë serbe.