Një defekt i papritur i rrymës e dogji tërë biznesin e kumanovarit, EVN refuzon pagesën e dëmit
Një defekt i papritur i rrjetit të energjisë elektrike në njërën nga lagjet e Kumanovës e goditi rëndë biznesin e Bekim Salihut. Kjo ndodhi më 3 maj 2019 në orët e pasdites në rrugën “Tode Mendol” në Kumanovë, ku pësuan edhe shumë shtëpi dhe biznese të tjera, të cilat po ashtu kanë dëme të mëdha në djegien e aparaturave të punës, pajisjeve shtëpiake, por edhe teknikë tjetër.
Ndër më të goditur është Bekim Salihu, pronari i librarisë dhe shtypshkronjës “ABC Librari” . “Më 3 maj 2019 rreth orës 15.15 papritur u ndërpre rryma në pjesën më të madhe të rrugës. Nuk e dinim çfarë ka ndodhur. Pas një dite me sanimin e dëmit në lagje dhe me ardhjen e rrymës, vërejtëm se asnjë aparaturë dhe pajisje nuk funksionon, sepse ishin djegur. Atë ditë erdhën ekipet e EVN duke na thënë se bëhet fjalë për defekt të madh dhe na sugjeruan të shkojmë në zyrat e tyre për dëmshpërblim, për dëmet që kishim pësuar. Ne bëmë kërkesën më 6 maj dhe morëm një përgjigje skandaloze nga EVN, sepse kjo kompani që duhet përkujdesur për konsumatorin dhe që mban përgjegjësi nuk pranon se ka detyrim për dëmshpërblimin tonë”, thotë Bekim Salihu.
Ai shpjegon se dëmet janë të mëdha disa mijëra euro, sepse bëhet fjalë për printerë dhe maqineri tjetër me vlerë, që ishte një investim i realizuar me shumë sakrifica disavjeçare. “Është e papërgjegjshme që të mos ketë kujdes ndaj konsumatorit. Ata duhet të mbajnë llogari, sepse defekti i madh na goditi keq. Nga 3 maji kam mbyllur biznesin, edhe pse kam shumë punë të rezervuara”, thotë Bekimi.
Nga EVN janë përgjigjur përmes një letre zyrtare në të cilën thuhet se “Ndërprerjet e paplanifikuara që janë shkaktuar kategorizohen në kategoritë e ndërprerjes së rrymës nga të tjerë dhe dëme që shkaktohen nga persona të tretë dhe kafshë…Këtu bëjnë pjesë veprime nga persona të tretë që kanë shkaktuar defekte në objektet elektroenergjetike, gjatë gërmimit, vjedhjes, zjarrit …si dhe nga kafshët dhe shpezët në rrjetet elektroenergjetike”. Sipas përgjigjes së EVN-së, në këtë rast defekti është shkaktuar nga ana e personit të tretë, që nuk nënvizohet se kush është. E me këtë kjo ndërmarrje thotë se nuk ka detyrim që të paguajë dëmshpërblim.
Pas kësaj përgjigje, Bekimi thotë se është i shokuar se si nuk merret përgjegjësi ndaj një klienti. Ai është lajmëruar tek Agjencia për Mbrojtjen e Konsumatorit, e cila i ka dalë në anën e tij, duke kërkuar që rasti të vazhdojë në instancat e drejtësisë. Bekimi thotë se ka bërë edhe një kërkesë tjetër në adresë të EVN, por thekson se është përballur me një sjellje injoruese dhe nuk është marrë akoma parasysh. Ai apelon për zgjidhje, sepse çdo ditë po pëson humbje të mëdha, pasi që është i detyruar që ta mbyllë biznesin e tij. “Nëse nuk marrin parasysh kërkesën, rastin do ta procesoj në gjykatë, duke shterrur deri në fund çdo instancë, përfshirë më pas Gjykatën e Strasburgut”, thotë Bekim Salihu. Sipas tij, dëme pësuan edhe 12 shtëpi dhe 3 biznese tjera. /ina/