Kurti: Z- Mobile është Kali i Trojës të cilën ‘gjarpri’ ia imponoi dhuratë Telekomit të Kosovës
Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, gjatë seancës së jashtëzakonshme për Telekomin e Kosovës tha se kontrata me z-Mobile është krim i organizuar dhe faktor kryesor i krizës së Telekomit.
E prapa z- Mobile, sipas Kurtit është presidenti i vendit Hashim Thaçi.
“Kontrata e Telekomit të Kosovës me Dardafon si operator mobil virtual e më pastaj Dardafon. net e më vonë tash me z-Mobile është krim i organizuar dhe është faktori kryesor i krizës në Telekomin e Kosovës. Kontrata me z-Mobile është aktuale dhe dëmet e kësaj kontrate jo-ligjore vazhdojnë të thellohen edhe sot e kësaj dite. Z-Mobile ia plaçkit mbi çerekun e të hyrave Telekomit të Kosovës. Z-Mobile kësisoj është shndërruar në aksionarin kriminal, i cili e ka një pjesë të Telekomit deri në 30 për qind dhe dëshiron ta marrë të tërën. Prapa z-Mobile qëndron ish-kryeministri tash president dhe ish-shefi i shefave nga klani pronto, i cili njërit prej vëllezërve Devolli i ankohej se i është tharë fyti. Z-Mobile pra është kali i Trojës, të cilin gjarpri ia imponoi dhuratë postës edhe Telekomit të Kosovës”, tha Kurti.
Kurti tha se sot në këtë seancë të jashtëzakonshme duhet të flitet për Prokurorinë dhe Policinë, të cilët sipas tij duhet të veprojnë. Tha se duhet të hetohet kontrata me z-Mobile, kontratë kjo që sipas tij ishte goditja më mizore kundër Telekomit të Kosovës. Ai pati kritika edhe ndaj drejtorëve dhe menaxherëve të kësaj ndërmarrje, për të cilët tha se janë jo kompetentë dhe pa integritet. “Në kompanitë e Telekomit në botë, njerëzit më inteligjent, më të ditur, më gjenial të shoqërisë bëhen kryeshefa. Në Kosovë është e kundërta. Prej ushtruesit të detyrës Zeqir Kiçina deri te Bedri Istrefi, tek bordi aktual, edhe nëse këta kanë qenë njerëz të mirë, qytetarë të ndershëm, çlirimtarë të devotshëm, po i humbin si të tillë dhe po fitojmë menaxhera të këqij. Pra, edhe po ju bëhet dëm atyre njerëzve, përveç se edhe natyrisht po rrënohet në shpejtësi aktualiteti dhe potencialiteti i Telekomit të Kosovës”, tha ai.
Ai tha se pa u forcuar shteti në gjyqësi dhe prokurori, nuk duhet të privatizohet Telekomi i Kosovës, sepse si i tillë do të jetë fatal. Ai kërkoi që Kuvendi të marrë vendim që kontrata me z-Mobile me 1 gusht t’i takojë vetëm të së kaluarës. /KosovaPress/