Studentja nga Peja zgjedhet në mesin e tre studentëve më të dalluar të Nju Jorkut
Sukseset e të rinjve shqiptarë në Shtete e Bashkuara të Amerikës nuk kanë të ndalur. Ata tashmë veçohen për shumë të arritura, sidomos në arsim, shkencë e kulturë, duke u nderuar edhe me shumë çmime prestigjioze, si studentët më të mirë në shtetin ku ata jetojnë.
Me gjithë të arriturat e tyre, ata asnjë herë nuk e harrojnë vendlindjen e tyre, Kosovën, ku me krenari tregojnë për vendin e tyre të origjinës, duke e promovuar në mënyra të ndryshme.
Kësaj here është Dafina Shkreli nga Kosova, e lindur në Pejë, e cila me suksesin e saj nuk ka nderuar vetëm veten dhe familjen e saj, por edhe mbarë Kosovën dhe kombin shqiptar. Ajo ka fituar çmimin ‘All State Academic Team Award’, duke u zgjedhur në mesin e tre studentëve më të mirë, ndër 27 mijë studentët nga të gjitha universitetet shtetërore të Nju Jorkut.
Në një bisedë për Telegrafin, Dafina tregon se është shumë e lumtur, dhe se ky ishte një moment që i ka dhënë emocione të mëdha.
Ajo thotë se pas anëtarësimit në “Phi Thetta Kapa Honor Society”, në shoqërinë e nderit më të vjetër, më të madhe dhe më prestigjioze që njeh të arriturat akademike të studentëve, i janë dhënë shumë mundësi ku një prej tyre është çmimi ‘All State Academic Team Award’, si njëra ndër tre studentët më të mirë. Ky çmim, sipas saj, është një burim i madh krenarie për të, është një moment i paharrueshëm në jetën e saj dhe një motivim për të vazhduar më tutje.
“Është një privilegj i madh për mua të jem në mesin e studentëve më të mirë në Nju Jork. Kam patur rastin që gjatë studimeve të mia të takoj studentë nga e gjithë bota, dhe fakti që unë u zgjodha një ndër studentët më të mirë në mesin e tyre, ishte një ndjenjë e pa përshkueshme”, tha ajo për Telegrafin.
Dafina flet për rrugëtimin e sa dhe thotë se asgjë nuk do ishte e mundur nëse nuk do ta kishte përkrahjen e familjes.
“Gjatë tërë rrugëtimit tim e kam patur përkrahjen e tyre morale dhe financiare. Motivimin më të madh e kam gjetur tek familja ime, andaj edhe çdo sukses timin ia dedikoj familjes”, tha ajo, duke treguar edhe për benefitet apo përparësitë që do t’ia sjell ky çmim në të ardhmen,
“Përpos epitetit si një ndër top studentët më të dalluara të shtetit të New Yorkut, unë do marr të shpërblehem me një shumë të hollave, së bashku me njohjen në Asamblenë Amerikane të Konventës së Kolegjeve të Komuniteteve. Të gjithë fituesit janë paraqitur me medaljon të gdhendur nga ‘Phi Theta Kappa’, kolegji i bashkësisë ndërkombëtare nderon shoqërinë. Ata gjithashtu marrin publicitet të gjerë kombëtar në ShBA, dhe kanë të drejtë për shpërblime shtesë nga organizatat sponsorizuese. Ky çmim nderon publikisht një grup të veçantë studentësh për arritjet e tyre akademike dhe kontributet shoqërore; gjithashtu hap rrugën për rritje të mëtejshme akademike, mundësi për lidership dhe çmime. Punëdhënësit, kolegjet katërvjeçare dhe komisionet e bursave do të duken të favorshme për këtë dallim, sepse të gjithë e njohin punën dhe përkushtimin që ju kanë sjellë deri tani”, tha Dafina Shkreli.
Me gjithë suksesin e arritur, ajo tregon se ka edhe shumë të rinj nga Kosova kanë fituar bursa në universitete e ndryshme në ShBA. Thotë se vetëm më punë e përkushtim arrihen të gjitha. Ajo po ashtu, tregon për rrugën e saj jo të lehtë, duke filluar nga ditët e para të saj në Amerikë, e deri më tani.
Dafina thotë se ka përfunduar Gjimnazin ‘Bedri Pejani’ në Pejë, ku pastaj së bashku me familjen kanë migruar në New York, dhe sapo kam arritur në këtë metropol amerikan është interesuar për mundësitë e mundshme për të vazhduar studimet.
“Pasi që isha e re në New York, nuk ka qenë e lehtë për mua të vendosi se ku të vazhdoj studimet. Fillimisht, kam patur një test pranues nga Borough of Manhattan Community College, ku edhe e kam kaluar me pikët më të larta të mundshme. Si rezultat i kësaj menjëherë më kanë dhënë mundësinë të hyj në një test tjetër ku më mbulonte 50% të shpenzimeve universitare, edhe këtë provim e kalova me sukses. Pastaj, krijova edhe nje popullaritet ne kolegj, nga studentet dhe nga profesorët e mi. Arrita te marr rekomandime nga profesorët e mi për të gjitha bursat që kam aplikuar. Pastaj jam transferuar në Baruch College, po ashtu degë e CUNY, për të vazhduar studimet e mia. Aspiratat e mia janë të larta dhe sigurisht që nuk ndalem me kaq. Tani jam në pritje të një burse të mundshme në Columbia University, një ndër universitetet më prestigjioze në New York për të vazhduar studimet e nivelit master”, tha ajo duke treguar edhe për mënyrat e përfitimit të bursave në ShBA.
Ajo thotë se anëtarësimi në shoqëri të ndryshme siç është ‘Phi Thetta Kappa’, të jep mundësi direkte të përfitimit të bursave në SHBA, dhe kjo nuk është e gjitha.
“Është shumë e rëndësishme që të ceki që kolegjet që janë pjesë e CUNY-t, ofrojnë bursa direkt nga kolegji dhe jo nëpërmjet ndonjë anëtarësimi. Mjafton që të hyjnë në faqen zyrtare të kolegjeve, apo edhe nëpërmes e-mailit, ku do kenë një listë të konsiderueshme me bursa. Po ashtu, fakti që ke ndonjë bursë nuk të privon nga mundësia për të përfituar bursë tjetër, prandaj unë kam aplikuar për disa bursa në të njëjtën kohë, ku fatmirësisht kam patur rastin që të përfitoj disa nga këto bursa”, thotë ajo.
Dafina thotë se fillimisht ka pasur vështirësi të adaptohet me sistemin e arsimit, që dallon shumë nga ai në Kosovë. “Fatmirësisht e kanë ndihmuar, profesorët, stafi i akredituar i kolegjit si dhe departamentet e ndryshme varësisht prej subjektit”.
Të gjitha këto mundësi, sipas saj, vijnë pa pagesë nga kolegjet shtetërore të Nju Jorkut, andaj ajo thotë se është një mundësi e mirë për studentët që pretendojnë të studiojnë në një kolegj të tillë ta shohin si një mundësi.
“Planet e mia për të ardhmen janë shumë premtuese. Fillimisht jam duke punuar në rrugëtimin tim drejt përfundimit të studimeve master, të cilat do t’i filloj së shpejti. Po ashtu, planifikoj që menjëherë të filloj studimet e nivelit të tretë të doktoraturës ku besoj që do zgjedh ti përfundoj ne Evropë. Po ashtu, jam duke punuar intensivisht të ndërtohem profesionalisht, andaj seminaret dhe workshopet e tematikave të ndryshme janë pjesë e rëndësishme e rrugëtimit tim”, tha ajo.
Se çfarë do t’ju kishe sugjeruar Dafina të rinjve nga Kosova, të cilët pak a shumë e kanë të vështirë të fitojnë ndonjë bursë nga Kosova në ndonjë Universitet në ShBA, ajo tregon se rekomandimi i saj për studentët nga Kosova është që të bëjnë kërkime sa më shumë në internet në faqen zyrtare të CUNY-t dhe degëve të tij. Ajo tregon se çdo degë ka faqen e tyre zyrtare dhe të gjitha informatat që nevojiten për tu regjistruar, bursa, si dhe informata rreth sigurimit të vizës studentore.
“Është e rëndësishme të cekët se çdo proces mund të bëhet përmes internetit dhe komunikimi përmes e-mailave që mundëson qasje më të lehtë në organet kompetente të universitetit që ata zgjedhin të studiojnë, dhe sigurisht e kam fjalën gjithmonë për universitetet shtetërore”, tha ajo.
Vlen të theksohet se Dafina përpos studimeve, ajo po ashtu edhe punon. Është e angazhuar jashtëzakonisht shumë në aktivitete të ndryshme që ia mundësojnë të ndërtohet profesionalisht, siç: janë seminaret, workshopet, si dhe trajnime të ndryshme.
Po ashtu, përpos angazhimit të saj në shkollë dhe punë, ajo sigurohet të ndajë një kohë të mjaftueshme edhe aktiviteteve në universitet , kryesisht klubeve të studenteve të subjekteve të ndryshme.
“Dua të theksoj se kam qenë krijuese e klubit “English Conversation Club” dhe presidente për një semestër. Ky klub kryesisht ka fokus studentët që kanë gjuhë të dytë gjuhën angleze. Në bashkëpunim me profesorin tim z. Lee Ritchey, jemi munduar që të asistojmë këta studentë të komunikojnë në gjuhën angleze më lirshëm. Pra, kryesisht jam shumë e angazhuar, por meqenëse puna e palodhshme po më shpërblehet, nuk mendoj të ndalem asnjëherë”, tha ajo.
Megjithë suksesin e saj, Dafina inkurajon të gjithë të rinjtë shqiptarë, që mos të ndalen duke kërkuar suksesin. Ajo porosit të rinjtë se puna, angazhimi dhe përkushtimi, janë shtyllat që të drejtojnë drejtë suksesit të dëshiruar.