Kurti: Zëri i Kosovës do të jetë më i theksuar në avancimin e pozitës së Sanxhakut
Lideri i Lëvizjes Vetëvendosje (LV), Albin Kurti, ka takuar liderin e Sanxhakut të Novi Pazarit, Sulejman Ugljanin, kryetar i Partisë së Aksionit Demokratik të Sanxhakut (SDA Sanxhak).
Kurti e Ugljani kanë biseduar për mundësinë e bashkëpunimit mes komunave të Kosovës ku qeveris apo bashkëqeveris Vetëvendosja me komunat e Sanxhakut për mundësinë e futjes së kuotave të regjistrimit të studentëve të Sanxhakut në universitetet publike të Kosovës, ekskursionet e nxënësve tanë në viset e Sanxhakut.
“Ju falënderova Dr. Uglaninit për qëndrimin e tij ndaj Kosovës duke nënvizuar se zëri i Kosovës do të jetë gjithnjë e më i theksuar në avancimin e pozitës së Sanxhakut. Dr. Uglanini ka mbaruar shkollën fillore në Mitrovicë, të mesmen në Prishtinë kurse fakultetin dhe specializimin në Sarajevë”, ka shkruar Kurti në llogarinë e vet në “Facebook”.
Postimi i plotë i tij:
Mbrëmë takova liderin e Sanxhakut të Novi Pazarit, Dr. Sulejman Ugljanin, kryetar i Partisë së Aksionit Demokratik të Sanxhakut (SDA Sanxhak), i cili së fundi me listën e quajtur “Vetëvendosje” i ka fituar bindshëm zgjedhjet për Këshillin Nacional të Boshnjakëve në Serbi.
Dr. Uglanini shoqërohej nga sekretari i përgjithshëm i partisë së tij, Ahmedin Shkrijel, si dhe bashkëpunëtorët e tij, Mirza Hajdinoviq e Merfid Kamesniçanin.
Unë isha bashkë me kryetarin e Këshillit të Përgjithshëm të Lëvizjes Vetëvendosje, Hydajet Hyseni, si dhe nënkryetarin e komunës jugore të Mitrovicës, Faruk Mujka.
Në takim mori pjesë edhe aktivisti i njohur për çështjen e Sanxhakut, Prof.Dr.Nexhmedin Spahiu.
Ju falënderova Dr. Uglaninit për qëndrimin e tij ndaj Kosovës duke nënvizuar se zëri i Kosovës do të jetë gjithnjë e më i theksuar në avancimin e pozitës së Sanxhakut. Dr. Uglanini ka mbaruar shkollën fillore në Mitrovicë, të mesmen në Prishtinë kurse fakultetin dhe specializimin në Sarajevë.
Biseduam për mundësinë e bashkëpunimit mes komunave të Kosovës, ku qeveris apo bashkëqeveris Lëvizja jonë, me komunat e Sanxhakut, për mundësinë e futjes së kuotave të regjistrimit të studentëve të Sanxhakut në universitetet publike të Kosovës, ekskursionet e nxënësve tanë në viset e Sanxhakut etj.
Dr. Ugljanini më njoftoi se si në komunën e Tutinit në Sanxhak, rrugëve dhe shesheve u janë dhënë emrat e shqiptarëve të shquar si Nëna Terezë, Naim Frashëri, Shaban Polluzha, Nexhip Draga, Ferat Draga, Aqif Blyta, Adem Demaçi, Ibrahim Rugova, Rexhep Qosja, Fehmi Agani etj dhe se këta emra do të vendosen po ashtu në komunat tjera të Sanxhakut.
Shpreha qëndrimin tonë se edhe në Kosovë duhen bërë emërtime me emrat e heronjve të Sanxhakut.
Dr.Sulejman Uglaninin e ftova në manifestimin për 141-vjetorin e Lidhjes së Prizrenit, e që atëbotë është mbështetur financiarisht nga Jusuf Pazari.