Kuvendi miraton marrëveshjen mes Maqedonisë së Veriut dhe Kosovës për njohje reciproke të patent shoferit
Kuvendi miratoi unanimisht Marrëveshjen mes Maqedonisë së Veriut dhe Kosovës për njohje reciproke të patentave për shoferët. Zëvendësministri i Punëve të Jashtme, Andrej Zhernovski tha me marrëveshjen që hynë në fuqi shtetasit nuk do të kenë asnjë detyrim për njohjen e tyre nga shteti tjetër nëse e ka të rregulluar lejen e qëndrimit.
Në bazë të reciprocitetit, kjo marrëveshje do të mundësojë procedura të shpejta dhe efikase për njehjen e përbashkët të patentave për shoferë, atyre të cilëve u është mundësuar banimi ligjor edhe në territorin e Maqedonisë së Veriut edhe të Kosovës.- theksoi Andrej Zhernovski, zv/ministër i jashtëm.
Marrëveshja u mbështet edhe nga opozitarja VMRO-DPMNE. Megjithatë deputeti Ilija Dimovski, akuzoi Qeverinë ende nuk ka hedhur asnjë gurë për ndërtimin e rrugës Shkup-Bllacë. Ai tha se Qeveria e kaluar u ka lënë projekt bazë dhe studime fizibiliteti që në vitin 2016.
Derisa pala kosovare gjysmën e autostradës e ndërtoi përgjatë rrjedhës së lumit dhe në shtylla, pala jonë nuk ka bërë asgjë. Ne e dimë se kjo qeveri nuk ndërton asgjë. Rruga nga Shkupi deri në kalimin kufitar në Kosovë është sikur të ktheheni në shekullin e 19. Një nga premtimet zgjedhore dhe pjesë e programit të kësaj rruge ishte ndërtimi i autostradës Shkup-Bllacë.- u shpreh Ilija Dimovski, VMRO-DPMNE
Deputeti i LSDM-së Dime Velkovski tha se rruga do të ndërtohet së shpejti pasi paratë për ndërtimin e kësaj rruge janë siguruar nga fondet e BE-së.
Mjetet janë siguruar, janë mbi 20 milion euro, para të pakthyeshme. Ajo do të fillojë të ndërtohet, madje është llogaritur se për 40 deri në 45 minuta do të udhëtohet nga kryeqyteti në Shkup deri në Prishtinë.- tha Dime Velkovski, LSDM.
Për në fund të këtij muaji, autoritet e Kosovës kanë njoftuar se do të bëjnë edhe hapjen zyrtare të autostradës që lidh Kosovën me Maqedoninë, respektivisht nga Hani i Elezit deri në Prishtinë./alsat/