Qeveria e Kosovës ndan 200 mijë euro për Kompleksin Memorial “Adem Jashari”
Qeveria e Kosovës mbajti mbledhjen e radhës ku janë marrë disa vendime. Në bazë të kërkesës së Komitetit Ndërministror për Kompleksin Memorial “Adem Jashari” është ndarë mjete financiare.
Qeveria ndau 200 mijë euro që do të përdoren për nevojat e realizimit të këtij projekti përmes angazhimit edhe të konsulencës së jashtme.
Po ashtu, Qeveria dha mendimin e saj për iniciativën legjislative për Projektligjin për ndryshim dhe plotësim e Kodit të Drejtësisë për të Mitur, sipas përfundimit të Kuvendit të Republikës ë Kosovës.
Mendimi i Qeverisë me vlerësimet e Ministrisë së Drejtësisë, thekson se iniciativa për këtë Projektligj do të ndihmojë në eliminimin e paqartësive eventuale në procesin e zbatimit; vlerësimin e ndikimit buxhetor nga Ministria e Financave dhe vlerësimin e përputhshmërisë së iniciativës me legjislacionin e BE-së nga Ministria e Integrimit Evropian, do të procedohet në Kuvendin e Republikës së Kosovës.
Qeveria ka miratuar vendimin për plotësimin dhe ndryshimin e vendimit për emërimin e anëtarëve të Bordit të Drejtorëve të Ndërmarrjes Publike Qendrore Telekomi i Kosovës. Me vendimin e miratuar është zëvendësuar një anëtar i dorëhequr i këtij Bordi.
Me plotësimin dhe ndryshimin e vendimit të Qeverisë për themelimin e strukturave për zbatimin e pakos ligjore për Administratën Publike, është ndryshuar përbërja e Komisionit Ekzekutiv të kësaj strukture. Në këtë Komision do të shtohen edhe tre përfaqësues nga Zyra e Kryeministrit.
Avni Ahmeti, me vendimin e miratuar sot në mbledhjen e Qeverisë së Republikës së Kosovës, është emëruar drejtor i përgjithshëm në Agjencinë Kadastrale të Kosovës. Mandati i të emëruarit është tri vite.
Qeveria e Republikës së Kosovës në mbledhjen e sotme ka aprovuar ndryshimin e listës së artikujve për përdorim të përbashkët, që janë objekt i procedurës qendrore të prokurimit publik në Republikën e Kosovës.
Kanë marr aprovimin e kabinetit qeveritar edhe nismat për lidhjen e marrëveshjeve ndërkombëtare të Ministrisë së Financave dhe Agjencisë Gjermane për Bashkëpunim Ndërkombëtar (GIZ), për financimin e projektit “Parku Inovativ Trajnues në Prizren”; dhe nisma për marrëveshjen ndërkombëtare ne mes të Ministrisë së Inovacionit dhe Ndërmarrësisë dhe Agjencisë Gjermane për Bashkëpunim Ndërkombëtarë (GIZ) për bashkëfinancimin e Projektit CETEP+ (Krijimi i vendeve të reja të punës përmes promovimit të eksportit).
Kryeministri Ramush Haradinaj ka kërkuar sqarime nga Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë për procedurat e akreditimit të programeve të studimit në institucionet e larta të arsimit në Republikën e Kosovës dhe bazat e ligjshmërisë së këtij procesi.
Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë ka sqaruar se baza ligjore e këtij procesi është Ligji për Arsimin e Lartë në Republikën e Kosovës dhe implementohet nga Këshilli Kombëtar i Cilësisë dhe Agjencioni i Akreditimit të Kosovës.
Me propozimin e Ministrit të Mbrojtjes, në bazë të kërkesës së familjeve të të rënëve, është miratuar vendimi që Forca e Sigurisë së Kosovës të vazhdojë me rivarrimin e të rënëve në Kompleksin Memorial në Marinë të Skenderajt.
Gjithashtu me propozimin e Ministrit të Mbrojtjes, sekretari i përgjithshëm i Ministrisë së Mbrojtjes është emëruar në pozitën e drejtorit të përgjithshëm të Qendrës së Mjekësisë së Forcës së Sigurisë së Kosovës, ndërsa sekretari i përgjithshëm i Ministrisë së Zhvillimit Rajonal është transferuar në pozitën e sekretarit të përgjithshëm të Ministrisë së Mbrojtjes.