Maqedoni

Në protestë në Tetovë u kërkua nga parlameti të legalizohet publikimi i “bom*bave” (Video)

Shpërndaje

Qindra protestues janë grumbulluar sot në Tetovë në shenjë proteste me rastin e bombave të cilat i publikon në rrjetin Fejsbuk përdoruesi me pseudonimin El Çeka. Vëllai i tij, Blerim Ahmeti, qëndron prapa organizimit të kësaj proteste, si dhe të asaj më herët, transmeton gazeta Koha.

Protestuesit kërkojnë dorëheqje të funksionarëve të BDI-së, sundim të ligjit, proces gjyqësor të skandaleve nga “bombat” e reja të publikuara, si dhe drejtësi për rastet ku janë të involvuar shqiptarët.

Blerim Ahmeti, i cili është vëllai i El Çekës, ka kërkuar që parlamenti të votojë ndryshimin e ligjit me çka do të legalizohej publikimi i “bombave”.

“Të nderuar pjesëmarrës të kësaj proteste nuk na ka mbledhur këtu sot dëshira për të shëtitur por nevoja për të protestuar kundër një dukurie mafioze të klasës politike shqiptare. Ne jemi mbledhur këtu për të kërkuar që urgjentisht Parlamenti të fillojë procedurë për të ndryshuar ligjin i cili e sanksionon publikimin e bisedave të përgjuara të politikanëve shqiptarë dhe jo vetëm. Ne kërkojmë që të shpallet i pavlefshëm ky ligj që i mbron shkelësit e ligjit. Komisioni i Venecias në mënyrë decide rekomandon se duhet të publikohet çdo dokument i cili paraqet inters publik. Bisedat e përgjuara janë më shumë se interes publik, shkaku së në ato biseda shkelen të drejtat e njeriut, shkelet po ashtu edhe kushtetuta e vendit”, tha Ahmeti duke shtuar se ligji është sjellë për të mbrojtur politikanët shqiptarë.

Gjatë protestës organizatorët kanë ftuar protestuesit që të jenë të qetë dhe të mos përdorin dhunë ndaj policisë.

Në protestë kanë marrë pjesë edhe qytetarë nga qytete të tjera si Kumanova, Gostivari, Kërçova dhe Struga, të cilët kanë udhëtuar të organizuar me autobusë. Turmës nuk ju lejua që t’i afrohet selisë së BDI-së.