RajoniTop Lajme

Thaçi: S’ka krizë humanitare në Kosovë, është pretendim i dështuar i Serbisë

Shpërndaje

Presidenti i vendit, Hashim Thaçi, ka marr pjesë në konferencën “Të gjithë së bashku me një zë”, në mbështetje të të mbijetuarve të dhunës seksuale gjatë luftës së fundit në Kosovë. Kreu i shteti gjatë kësaj konference ka folur edhe për krizë humanitare në Kosovë. Ai ka thënë se nuk ka krizë humanitare në veri, derisa ka shtuar se mund të ketë improvizim dhe tendenca të Serbisë për t’u paraqitur si viktimë qytetarët serbë në veri të Kosovës. “Krizë humanitare në Kosovë nuk ka. Është shumë me rëndësi që e gjithë bota demokratike ta njohë realitetin që është në veri dhe ky pretendim i ri i Serbisë është i dështuar. Shteti i Kosovës do t’i kryejë të gjitha obligimet që ka karshi të gjithë qytetarëve të vendit në çdo cep të territorit të Republikës së Kosovës”, ka thënë ai, përcjell lajmi.net.

Po ashtu, Thaçi tha se Bashkësia Ndërkombëtare dështoi të dënojë kriminelët serbë që kanë kryer krime në Kosovë. Sipas tij, po bëhet amnisti e heshtur e krimeve nga ndërkombëtarët ndaj kriminelëve që sot gjenden në institucionet më të larta të Serbisë. Thaçi ndër të tjera tha se të mbijetuarat e dhunës seksuale gjatë luftës duhet të inkurajohen nga shoqëria e Kosovës që të dalin dhe të tregojnë të kaluarën e tyre.