Rajoni

​Alarmon Ragmi Mustafa: Lugina po zbrazet

Shpërndaje

Kryetari i Këshillit Nacional të Shqiptarëve në Serbi, Ragmi Mustafa ka thënë që klasa politike në Kosovë të mos bëjë konstatime për gjendjen e shqiptarëve në Luginën e Preshevës, por të ndihmojë. Mustafa ka thënë në RTV Dukagjini, se mungesa e kuorumit në Kuvendin e Kosovës qoftë edhe për votimin e një rezolute për shqiptarët e Luginës së Preshëvës, tregon shenja mos serioziteti. Kryetari i Këshillit Nacional të Shqiptarëve thotë se 19 vite pas Marrëveshjes së Konçulit asgjë nuk ka lëvizur në të drejtat e shqiptarëve.

“Duke pasur parasysh të dhënat demografike, po ndodh një shpopullim i madh i shqiptarëve sidomos atyre në Medvegjë. Jo zyrtarisht mësohet se rreth 2,000 shqiptarë janë shlyer nga regjistrat e gjendjes civile, ndërsa rreth 1,000 të tjerë në Preshevë e trojet e tjera. Duhet pasur parasysh se popullata e përgjithshme e Medvegjës nuk shkon më shumë se 5,000 banorë”, tha ai, përcjell Telegrafi.

Mustafa thotë se aktualisht në shkollat shqipe në Luginën e Preshevës ndjekin mësimin rreth 7 mijë nxënës, ndërsa sipas tij dhjetë vite më parë mësimin në këto shkolla e kanë ndjekur mësimin rreth 4 mijë nxënës shqiptarë më tepër.

“Pasur parasysh këto shifra, rënia në pesë vitet e fundit është rreth 26%, ndërsa për dhjetë vite rënia është rreth 41%. Kjo tregon se ka shpopullim të atyre vendeve”, tha Mustafa.