MaqedoniOpinione

Shqiptarët në Maqedoni asnjëherë nuk kanë pasur dhe mjerisht nuk kanë as sot lider të vërtetë politik!

Shpërndaje

LIDERËT DHE GJELAT E MËNGJESEVE TË ZYMTË

Shkruan, Abdulla Mehmeti

Shqiptarët në Maqedoni kanë qenë popull me shumë fat gjatë periudhës tridhjetëvjeçare të tranzicionit, vetëm për faktin se kanë promovuar mbi 23 liderë të partive politike deri më sot.

Megjithatë, gjendja e shqiptarëve në këtë shtet nuk ka ndryshuar gati me asgjë, edhe pse një numër i madh i studiuesve, gazetarëve dhe analistëve, sidomos i mediave të krijuara vetëm për zhurmë dhe propagandë në dobi të pushtetit, vazhdimisht kanë tentuar të sjellin dhe promovojnë përpara opinionit edhe disa figura politikanësh kinse të suksesshëm, dijetarë, atdhetarë, madje edhe vizionarë dhe „koka gjeniale” që i radhitin ata mes baballarëve të kombit.

Sot, shqiptarët në Maqedoni kanë disa personalitete në skenën politike, të cilët duhet të respektohen, por ata as për së afërmi nuk janë në nivel të liderëve, sepse nuk përfaqësojnë interesat e gjithë popullit shqiptar, madje as interesat e të gjithë anëtarësisë së partive të tyre.

Si nuk duhet të jetë një lider politik?

Nuk duhet të eksperimentojë me fatin e popullit, aq më tepër për një kohë të gjatë, herë në pozitë e herë në opozitë, pa siguruar asnjë rezultat konkret dhe të rëndësishëm për popullin e tij.

Nuk duhet të organizojë spektakle politike, sidomos në tubime partiake dhe në media, të cilat në distancë kohore prej një ose dy dekadave, me asngjë nuk dallohen prej njëri tjetrit spektakël, si për nga fjalori, filozofia politike, mjetet dhe teknikat e propagandës, mungesën e vizionit për të ardhmen, mungesën e kapaciteteve prej lidershipi të aftë për zgjidhjen e problemeve.

Nëse një politikan për vite me radhë merret kryesisht me figura të tjera politike, me dështimet dhe paaftësitë e tyre, jo me krijimin e vizionit të qartë, promovimin dhe zbatimin e programit politik të vetin, i cili garanton zgjidhje, sukses dhe të ardhme më të mirë për popullin që e përfaqëson, në këtë rast nuk mund të flasim as për shkronjën e parë të fjalës LIDER, në kuptimin e saktë dhe të drejtë të kësaj fjale.

Përderisa populli që e përfaqëson nuk shënon asnjë arritje të dukshme, zhvillim dhe progres, as për tri dekada me radhë, përkundrazi vazhdon të trajtohet si pakicë kombëtare e parëndësihme në shtet, cilat janë kriteret themelore për t’u promovuar një politikan si LIDER?!

Skënderbeut nuk i duhen vëllezër mes politikanëve të sotëm, por shqiptarëve u duhet shtet, liri dhe barazi, mirëqenie dhe progres, ardhmëri e sigurt!