“TVSH-ja ime”, për 5 ditë skenohen mbi 400 mijë llogari fiskale
Qytetarët kanë filluar të përdorin masën e Drejtorisë së të Ardhurave Publike për kthim të TVSH-së. Që nga 1 korriku janë shkarkuar 57.973 aplikacione “TVSh-ja ime” dhe janë skenuar 433.204 llogari fiskale. Qytetarët kanë realizuar blerje mbi 240 milion denarë, prej të cilëve do të kthejnë 7 milionë denarë apo 120 mijë euro. Drejtoresha e DAP-it, Sanja Lukarevska, ka informuar gjatë një birfingu se, në pesë ditët e para qytetarët kanë hasur probleme më të mëdha me skenimin e llogarive fiskale nga marketet e mëdha, por kjo sipas saj, ka nddodhur për shkak të amortizimit të aparateve fiskale.
“Për kthimin e 600 denarëve në muaj nga TVSh-ja, një person duhet të realizoj blerje prej 26.000 denarëve, nëse të gjitha llogaritë fiskale janë me 18% TVSh. Qytetarët mund ta presin pagesën e parë të të hollave nga TVSh në dhjetor për muajt korrik, gusht dhe shtator. Pagesa do të realizohet në tre muaj dhe një person mund të kthej maksimum 1800 denarë për tre muaj”.
Ajo ka paralajmëruar që të mos bëhen manipulime, sepse sistemi do të evidentoj nëse dikush dëshiron të manipuloj dhe të kthej dyfishin e TVSh-së dhe për këtë është paraparë gjobë prej 250 euro. Sa i përket problemit me telefonat “iPhone” prej ku nuk mund të shkarkohet aplikacioni, ajo tha se së shpejti pritet që të përfundojnë procedurat dhe aplikacioni të jetë funksional edhe në këto telefona.
“Problemi nuk është nga DAP. Është dërguar kërkesë në “Apple Store” që nga data 25 maj, por ata kanë kanë procedurë më restriktive të verifikimit dhe për këtë nuk mund të shkarkohet aplikacioni nga telefonat “iPhone”. Këto politika restriktive kanë zvarritur procesin. Por, presim që procedurat të përfundojnë së shpekti dhe them se nuk ka mundësi që të na refuzojnë, sepse i gjithë dokumentacioni që e kanë kërkuar është dërguar në mënyrë të rregulltë. Deri atëherë, përdoruesit e telefonave “iPhone” mund t’i shfrytëzojnë barcode lexuesit e DAP-it”.
Nga kjo drejtori kanë bërë të ditur se janë nënshkruar deklarata për mbrojtje të të dhënave nga ana e të gjtiha institucioneve dhe sistemi për kthim të TVSh-së nuk hynë në të dhënat e tatim paguesit, ndërsa llogaria transkaionare e cila është në sistem është me qëllim që të paguhen të hollat nga kthimi i TVSh-së. Teuta Buçi /SHENJA/