Kurti: Gjashtë muaj nga letra që ia dërgoi Trumpit, Thaçi s’mori përgjigje
Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje Albin Kurti, ka thënë se sot janë bërë gjashtë muaj nga letra që Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi, ia dërgoi Presidentit amerikan Donald Trump, dhe ende nuk mori përgjigje, njofton Klan Kosova.
Më poshtë statusi i tij i plotë:
“Siç kemi diskutuar në Paris – dhe siç u kam shpjeguar më në detaje Sekretarit të Shtetit, Mike Pompeo, si dhe Këshilltarit për Siguri Kombëtare, John Bolton, gjatë vizitave të mia të paradokohshme në Uashington – pajtohem me ju se një marrëveshje që do të zgjidhte të gjitha çështjet e hapura në mes të Kosovës dhe Serbisë është afër tani.” (8 janar 2019)
Gjashtë muaj u bënë sot nga letra që ia dërgoi Presidentit Trump. Mirëpo Thaçi nuk mori përgjigje (paçka se aty shprehte edhe gatishmëri edhe vullnet për kompromiset e nevojshme).
Si na paska qenë afër marrëveshja që zgjidh të gjitha çështjet e hapura në mes Kosovës e Serbisë?! Pse nuk ka asnjë raport zyrtar nga presidenti as për institucionet dhe as për qytetarët e Kosovës mbi përmbajtjen e pozicioneve aq shumë të afruara me Serbinë? Çka qenka kjo gati-marrëveshje që i zgjidh të gjitha çështjet e hapura për dallim nga 33 marrëveshjet e dialogut paraprak gjashtëvjeçar?
Pazar sekret, sigurisht. Mirëpo, edhe projekt i dështuar, gjithsesi.
Nga protesta më e madhe e Kosovës së pasluftës “Një popull s’i nënshtrohet një njeriu” (mbajtur më 29 shtator 2018) e deri te vendimi i Gjykatës Kushtetuese që diskreditoi qeverinë, presidentin dhe ekipin e tyre rezervë për dialog (publikuar më 27 qershor 2019), të gjithë akrobatët e morën përgjigjen e merituar”.