Rajoni

Meta tjetër afat Ramës për zgjedhjet: Nëse 13-ta i ka dalë ters në filxhan e ndryshojmë

Shpërndaje

Presidenti Ilir Meta nga qyteti i Durrësit ironizoi kryeministrin Edi Rama në lidhje me zgjedhjet e 13 tetorit, duke thënë se është i gatshëm që të ndryshojë datën por jo përpara 17-18 tetorit, ku dhe do të jepet vendimi për hapjen ose jo të negociatave të Shqipërisë për anëtarësimin e saj në BE.

“Kryeministri që e percepton si datë tersi 13 tetorin dhe dua ta siguroj atë dhe gjithë se e vetmja datë që mund ta ndikoj dhe që është shumë e rëndësishme për shqiptarët është 17-18 tetori, kur udhëheqësit e BE do të vendosin për po ose jo për Shqipërinë. Të gjithë e kemi të qartë se me mik shumë të fortë, vendimi për negociatat u shty për në vjeshtë.

Është e domosdoshme që të jemi të përgjegjshëm përpara shqiptarëve, të paktën unë si President, por edhe zoti Rama si kryetari i qeverisë dhe maxhorancës aktuale, Basha si kryetar i opozitës se nëse përpara kësaj date nuk arrijmë të organizojmë zgjedhje gjithëpërfshirëse ose për të gjetur një formulë për zgjidhjen e krizës, provimi i vjeshtës është i pakalueshëm.

Në vend që të gjejmë një zgjidhje sa më parë, që kur më 10 qershor firmosa dekretin për shfuqizimin e 30 qershorit, të mos humbasim asnjë sekondë nga sot e në vazhdim. 17-18 tetori do ikë dhe do vijë 19 tetori dhe pas kësaj datë shqiptarët nuk duan të dëgjojnë justifikimet e askujt. E vetmja datë që nuk ndikoj dot është 17-18 tetori. Së dyti jam fleksibël, nëse i ka dalë ters në filxhan, i premtoj se mund t’i ndryshojmë një datë, por jo përpara 17-18 tetorit. E pres m padurim zotin Rama, që t’i japim zgjidhje kësaj çështjeje”, tha Presidenti./Top Channel