Rajoni

Prokurorja shqiptare shpërthen në lotë pasi e kalon vetingun

Shpërndaje

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit ka konfirmuar sot në detyrë Prokuroren e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, Elida Kaçkini. KPK ra dakord sa i përket pastërtisë së figurës dhe profesionalizmit të saj. Po ashtu, edhe pasuria e prokurores rezultoi pa probleme. Në momentet e rikonfirmimit, miq dhe të afërm kanë shpërthyer në lot gëzimi.

Kujtojmë se prokurorja Kaçkini është mes 15 emrave të përzgjedhur si kandidate për në SPAK.

Seanca dëgjimore

Dy ditë më parë (16 korrik), Elida Kaçkini dha llogari para KPK-së. Gjatë seancës dëgjimore, KPK vuri në dukje se janë gjetur mospërputhje sa i përket një apartamenti të blerë nga bashkëshorti i prokurores, para lidhjes së martesës.

Kaçkini tha se kishte sjellë dokumente mbi huatë, por në shpjegimet në sallë mbajti qëndrim se ajo nuk kishte përgjegjësi për këtë pasuri të krijuara para martesës dhe bashkëjetesës dhe tha se bashkëshorti i saj do jepte përgjigje për këto çështje, pasi edhe ai vetë do të përballej me vetingun.

Bashkëshorti i saj Besart Kaçkini, gjyqtar në Gjykatën Administrative të Shkallës së Parë në Tiranë, ka deklaruar sipas KPK për apartamentin, në deklaratën për vetingun, çmim 32 mijë euro dhe 38 mijë euro në deklaratën periodike. Nga hetimi KPK i ka rezultuar se kishte probleme për dy huatë që ai kishte marrë për apartamentin dhe mungesë burimesh për kursimet.

Relatorja Çiftja vuri në dukje se babai i gjyqtarit, nuk kishte pasur të ardhura për të dhënë huanë e deklaruar nga i biri. Po ashtu u bë me dije se huadhënësi tjetër, nuk kishte paraqitur dokumente për të vërtetuar të ardhurat.

Relatorja tha se vetë gjyqtari Kaçkini nuk kishte pasur burime për të mbuluar shpenzimet në vitin 2010 kur ishte blerë apartamenti.

Znj. Kaçkini, e cila e ka filluar karrierën e saj në vitin 2006 në Prokurorinë e Lushnjes dhe më pas në Tiranë, i tha KPK-së se kishte sjellë dokumente në lidhje me huatë dhe me të ardhurat e bashkëshortit. Por në qëndrimin e saj ajo vuri në dukje se nuk mund të mbahej përgjegjëse për këtë pasuri.

Ajo tha se mund të përgjigjej për rastet kur ajo kishte pasur mundësi vendimarrje dhe të shprehte vullnetin e saj dhe jo për veprime që ishin kryer sipas saj para bashkëjetesës.

E pyetur nga anëtarja e KPK, Xhensila Pine se ku kishte banuar në vitet 2010 deri në vitin 2012 kur ishte martuar, Kaçkini shpjegoi se ajo dhe bashkëshorti i ardhshëm kishin punuar në zona të ndryshme të vendit. Ajo tha se i shoqi kishte punuar gjyqtar në Tropojë, ndërsa ajo prokurore në Lushnje.

Kaçkini tha po ashtu se kishte jetuar në këtë periudhë me prindërit e saj. “Jemi një familje e madhe dhe kemi jetuar bashkë”, tha ajo, duke shpjeguar se bashkëjetesa me të shoqin nuk kishte qenë e mundur në këtë kohë.

Ajo shtoi se provë për këtë ishte fakti se shtëpia ishte bërë e banueshme pas vitit 2012, gjë që sipas saj provohej edhe nga faturat e energjisë dhe të ujit.

Pasuritë e tjera të prokurores ishin dy makina të blera 250 mijë dhe 500 mijë lekë, të cilat sipas KPK ishin të mbuluara nga burime të ligjshme.

*Të dhënat e BIRN për pasurinë e prokurores Elida kackini Celami