Albin Kurti për Haradinajn: Dorëheqje e vonuar me arsye të gabuar
Kreu i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti thotë se dorëheqja e Ramush Haradinajt është vonuar dhe erdhi për arsye të gabuar. Ai rendit disa arsye për të cilat Haradinaj duhet të kishte dhënë më parë dorëheqjen nga posti i kryeministrit.
“Z.Haradinaj dha dorëheqje nga pozita e kryeministrit. Moti është dashur të japë dorëheqje. Psh. kur e ndërroi qëndrimin për demarkacionin me Malin e Zi, kur ia rriti pagën vetvetes, kur emëronte nëpër borde e menaxhmente ndërmarrjesh me mbiemra familjesh e librezë partie, kur me 13 dhjetor 2018 e dha propozimin për marrëveshje “Ahtisaari Plus” me Serbinë, kur e paloi e rrafshoi buxhetin me asfalt, kur e kërcënoi prokurorin Blakaj, kur delegacioni për bisedime me Serbinë i doli anti-kushtetues etj.etj.
Së fundi e pa që mocionin e mosbesimit të opozitës do ta votonin edhe disa prej deputetëve që e kishin mbështetur fillimisht. E kuptoi atë që ia kishim thënë dikur: kryeministrinë e ka pasur si biçikletë hua nga PDK-ja për të bërë ndonjë xhiro…”, shprehet Kurti.
Sa i përket Gjykatës Speciale, Albin Kurti thekson se ‘Vetëvendosje’ është kundër saj dhe se ata që e votuan e kanë vendosur Kosovën nën shantazhin e interesave gjeopolitike.
“Ne ishim e jemi kundër Gjykatës Speciale. Kemi nevojë për gjykata normale kundër krimit e korrupsionit në paqe dhe jo për edhe një gjykatë speciale kundër kinse krimeve të luftës së UÇK-së. Ata që e votuan, e vunë veten e tyre dhe gjithë Kosovën nën shantazhin e interesave gjeopolitike jashtë kontrollit tone”, thotë Kurti.
Në fund, Kurti shton: “Për drejtësi të vërtetë, zhvillim të qëndrueshëm, progres shoqëror, demokraci institucionale, menjëherë nevojiten zgjedhje të reja parlamentare. Duhet të flasë populli, të cilin aq shumë e shtypën dhe e zhvatën.”