555-vjetori i vdekjes së Skënderbeut, ceremoni përkujtimore në varrin memorial të heroit në Lezhë

Shpërndaje

555-vjetori i vdekjes së heroit tonë kombëtar Gjergj Kastrioti është përkujtuar sot me një ceremoni në varrin memorial të heroit Në Lezhë.

Presidenti Bajram Begaj në ceremoni tha se historia e Skënderbeut dëshmon vlerën tonë të hershme europiane:

Historia ka treguar se nuk është e lehtë të ruash trojet, identitetin, kulturën e madje dhe të zhvillohesh. Shqiptarët janë detyruar shpeshherë të vetëmbrohen vendosmërisht për tokën, kulturën, gjuhën dhe dinjitetin e tyre.

Ne shqiptarët i jemi bashkuar luftrave të drejta e kemi mbrojtur kombe, fe e kultura të sulmuara, por kurrë s’kemi dashur atë që s’është e jona.

Duke na lejuar të distancohemi nga politika ditore, apo nga syri kritik i duhur ose i tepruar, e dhënë mundësinë të shohim historinë në tërësinë e saj si një ide e një mesazh; jeta e Gjergj Kastriotit tregon suksesin e besimit tek vetvetja, pa i lakmuar askujt asgjë. Gjergj Kastrioti Skënderbeu nuk është një legjendë, është një hero, por mbi të gjitha është një e vërtetë.

E vërteta e një populli që i përket një kulture të pasur e di të ruajë e të respektojë shumëllojshmërinë kulturore, fetare, etnike dhe e një populli që nuk ka shkaktuar asnjëherë luftra e konflikte.

Sot, 555 vjet pas vdekjes së tij, në kohën e duhur për të njohur vlerat e këtij populli, të gjeneralizosh shqiptarët me të kundërtën e asaj ç’ka historia e parë gjakftohtësisht e profesionalisht ka treguar, është mashtrim! Eshtë keqdashje!

Gjej rastin e këtij përkujtimi të Heroit Kombëtar për të shprehur bindjen se jeta dhe vepra e Gjergj Kastriotit duhet të na rikujtojë fuqishëm respektin e madh për veten. Gjergj Kastrioti Skënderbeu, djali i Vojsavës e i Gjonit u rrit në fëmijëri me dashurinë për trojet shqiptare për të cilat u rikthye e dha jetën. Ai është një nga emrat e ndritur të historisë europiane. Ne shqiptarët edhe sot 617 vjet pas lindjes së Kastriotit të shumë përmendur në shumë kronika e histori, duhet t’i kujtojmë disave historinë e vendit tonë dhe historinë e Europës.

Gjergj Kastrioti është heroi ynë kombëtar, sepse ne i jemi mirënjohës për luftën, përpjekjet, suksesin, dhe shembullin. E shqiptarët dinë të jenë mirënjohës.

Por, Gjergji Kastrioti ishte mbi të gjitha një shqiptar si të tjerë në mote e sot, që kanë në zemër dashurinë për këtë tokë, kanë besim në cilësitë e tyre dhe dinë të arrijnë suksesin për vete e për të tjerë. Këto shqiptarë janë në Shqipëri e kudo në botë edhe atje ku zyrtarë të lartë duan të zgjidhin dëshpërimin e tyre ditor, duke i rënë në qafë emrit të shqiptarëve.

Qofshim ne shqiptarët kudo të jemi çdo ditë, e veçanërisht në ditë si kjo kur përkujtojmë heroin europian dhe rolin tonë si popull në historinë botërore, të ndërgjegjshëm për cilësitë tona. Uroj të dimë t’i mbrojmë këto cilësi me zgjuarsi, dije e bashkëpunim siç dhe bëri Gjergj Kastrioti. Zoti e bekoftë Shqipërinë dhe popullin shqiptar!/Top Channel