Rudina Hajdari: Vendi ka nevojë për një frymë të re politike
Deputetja e Partisë Demokratike, Rudina Hajdari, në një intervistë për Zërin e Amerikës, tha se ajo vazhdon të qëndrojë në Parlament pasi nuk mund të shkojë kundër rrymës perëndimore. Ajo tha se vendi ka nevojë për një frymë të re politike dhe se ka shumë të rinj të edukuar brenda dhe jashtë që nuk ndihen të përfaqësuar nga partitë e tanishme politike.
“Shumë shpejt duhet ta fusim vendin në shina për të hapur negociatat dhe për të ngritur institucionet e reja të drejtësisë. Duhet të fillojmë edhe me reformën zgjedhore që do të zgjidhte krizën politike.
Unë zgjodha të qëndroj në parlament, pasi vendimi i PD-së për të djegur mandatet ishte antishqiptar, pasi bllokonte reformën në drejtësi. Kjo solli një shkatërrim në imazhin e Shqipërisë. Qeveria ndodhet në një situatë jashtë horizontit demokratik. Kjo qeveri po vijon që të bjerë, opozita bëri vetëm një gabim, që doli jashtë institucioneve. Unë nuk kam asgjë me opozitën, por nuk mund të shkoj kundër rrymës perëndimore”, tha ajo.
E pyetur nëse do të krijojë një parti të re, Hajdari u shpreh se ndodhet në një situatë të vështirë dhe se Shqipëria ka nevojë për një frymë të re politike.
“Për të ardhmen time do të vendosin shqiptarët, ata e kanë në dorë, por e rëndësishme është që të marr vendimet e duhura. Gjithsesi, ndodhem në një situatë të vështirë, Shqipëria ka nevojë për një frymë të re politike”, u shpreh Hajdari.
Sa i përket mbështetjes së opozitës së re në parlament ndaj shumicës, për shkarkimin e Presidentit të Republikës, Hajdari tha se zoti Meta zgjodhi një rrugë jolegjitime për ‘i dhënë zgjidhje krizës.
“Zoti Meta zgjodhi një rrugë jolegjitime për t’i dhënë zgjidhje krizës. Nuk zbatoi parimet kushtetuese. Ai ka shkelur disa pika të Kushtetutës së Shqipërisë. Ka premtuar një zgjidhje që nuk zbatohet dot, nuk gjen rrugë institucionale. Por do kemi një gjykatë kushtetuese që do e gjykojë vendimin e Presidentit. Data e re nuk solli një zgjidhje konkrete”, u shpreh ajo. /Voa/